Nëse sheh dy spotet e fundit në ekran të dy liderëve kryesorë në vend, të Edi Ramës dhe Lulzim Bashës e ke të kollajtë të dallosh se sa të ndryshëm janë, e çfarë synojnë. Cili është mesazhi që përcjellin e çfarë duan të arrijnë.
Edi Rama shfaqet në një dhomë të mbyllur, që në krye, duket si salon ndenjeje, më pas kur sheh fluturat ti e kupton se është zyra e tij. E po ashtu, edhe më vonë, në fund të reklamës tepër të gjatë, ai pozon në zyrë.
Edi Rama kumtin kryesor, në qendër të kësaj reklame, ka veten e tij. Si egocentrik që është, ai del si prioritet, dhe tërë komoditeti që e rrethon. Ngjan në këtë sens, një gabim foshnjarak, pasi duket që i kërkon votën shqiptarëve që ai të ruajë rehatinë, pushtetin e tij personal. Nuk ekziston askush tjetër në atë spot, vetëm ai në një bunker të mbyllurm dhe ca shifra e statistika që nuk shtyhen as me salcë.
Për më tepër, një detaj që bie në sy, rrufitja e kafesë me zhurmë që në nisje, është një sinjal që Rama kërkon tia nisë si të thuash brezit të tij e lart. Një zakon tipik i kësaj grupmoshe, duke përjashtuar kësisoj të rinjtë, shumë larg këtij tabiati.
Nga ana tjetër, Lulzim Basha ngjan se ka bërë një revolucion, pasi i këtillë mund të quhet fakti se ai bredh me një telefon në dorë duke bërë video-selfie. Cka nuk është në natyrën e tij, gjithnjë strikte nën kostumin e errët.
Mirëpo, Basha ka dëshmuar me këtë dalje, se ai është gati të ndryshojë. Ndryshe nga Rama, Basha kërkon të kumtojë se ai e ka vullnetin dhe dëshirën ti shkojë pas shoqërisë, e të mos presë në zyrën e tij ti blatohet pushteti prej sovranit.
Basha e dominon sigurisht reklamën e tij, por nuk është i vetmi personazh. Aty ka shumë të rinj, dhe teksti e mesazhi i drejtohet pikërisht atyre.
Basha është jashtë, në realitet, në rrugë, krejt në kontrast me Ramën e mbyllur në dhomë pa shumë ndriçim e të shtriqur mbi skrivaninë e rëndë.
Basha është në ecje, me ritëm, sikur nxiton, se nuk ka kohë; kërkon të thotë. Çliron energji, krejt ndryshe nga Rama që del si i lodhur, një dyshim që shtohet edhe më shumë kur sheh fotot e tij nëpër mitingje tek mbështetet në platformën e fjalimeve, pasi me ç’duket nuk ka më vitalitet.
Nga kjo përballje e parë, Basha del dukshëm i fituar. Të presim spotet në vijim kur kanë ngelur dhe 9 ditë fushatë deri në heshtjen zgjedhore.
