Bexheti: Aleancën e krijuam për të unifikuar, jo për të përçarë

LR-PDSH ka komentuar zërat e fundit për shpërbërjen e koalicionit të njohur Aleanca për Shqiptarët. Anëtari i kryesisë qendrore të kësaj partie, Flakron Bexheti theksoi se kjo Aleancë është krijuar për ta unifikuar spektrin politik shqiptar.

“Aleanca për Shqiptarët është krijuar si domosdoshmëri për ta unifikuar spektrin politik shqiptar, për t’i realizuar të drejtat kolektive të shqiptarëve. LR PDSH nuk lëviz nga ky përcaktim, pavarësisht momentit politik dhe tendencave që dikush mundohet ta zbeh rolin dhe forcën e saj. Partnerët e koalicionit Aleanca për Shqiptarët, edhe më tej duhet të kenë veprime të unifikuara dhe jo veprime të dyjëzuara me subjekte tjera politike jashta Aleancës për Shqiptarët”, deklaroi për INA, Flakron Bexheti.

Nga LR-PDSH nuk përjashtojnë hapa të mëtejshëm për unifikim edhe më të gjerë të spektrit politik shqiptar.