“Luftë” në BDI për drejtor dogane, ja kush është në lojë përveç Blerim Bexhetit

Ish ministri i drejtësisë Blerim Bexheti ende nuk është i sigurtë për postin e drejtorit të doganave. Përveç që nuk është i sigurt, ai ka edhe konkurencë të fortë, sepse në në mesin e shumë emrave gjendet edhe emri i Fatmir Besimit, ish ministër i ekonomisë, mbrojtjes dhe zv/kryeministër për eurointegrime. Besimi ka mbështetjen e kryetarit ët partisë, Ali Ahmeti, por nuk ka mbështetje të mjaftueshme nga dega e partisë në Tetovë.

Konkurrencën edhe më të fortë e bën fakti që për postin e drejtorit të doganave është duke “luftuar” edhe dega e BDI-së në Çair, e cila deri tani nuk ka fituar asnjë post të fuqishëm në aspektin ekonomik, thonë për Gazetën Lajm burime partiake në BDI. Favorit i degës së Çairit për këtë post është ish ministri i ekonomisv, Bekim Neziri. Pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit, nga BDI e Çairit post të lartë ka marrë vetëm Bujar Osmani, si zv/kryeministër për eurointegrime, por edhe ai më tepër konsiderohet si kuadër i kryetarit të partisë Ali Ahmeti, se sa i degës së BDI-së në Çair. Kjo konsiderohet si ndëshkim nga Ahmeti për rezultatin e dobët të degës së Çairit në zgjedhjet e fundit. Pa poste të rëndësishme ka mbetur edhe dega e BDI-së në Kumanovë, e cila poashtu ka kandidat të vetin për drejtor dogane.