Kush gënjeu për rastin “Monstra”?

Edhe përkundër shumë premtimeve për rastin “Monstra” dhe “Sopoti”, aktakuza nuk u ngritën. Pasi një ditë më parë Prokuroria Publike e përgënjeshtroi Janevën, ajo të enjten pranoi se nuk e ka kërkuar lëndën e rastit “Monstra”, por këtë e arsyetoi më atë se Prokuroria publike nuk ka bashkëpunuar në raste tjera dhe për këtë ka hequr dorë nga kërkesa. Ndërkaq, Bedri Hajdari, vëlla i të dënuarve për “Monstrën”, thotë se çdo palë e përfshirë deri më tani në këtë rast ka punuar në përmbushjen e agjendave personale

Çdo e palë e deritanishme e përfshirë në zbardhjen e të vërtetës për rastin “Monstra” ka punuar për përmbushjen e agjendave personale. Kështu thotë Bedri Hajdari, familjar i të dënuarve me burg të përjetshëm në rastin “Monstra”, një ditë pasi shpalljes nga prokurorja Kataica Janeva të 17 aktakuza për 18 lëndë, në mesin e të cilave nuk u gjend rasti “Monstra”, shkruan gazeta KOHA. Hajdari në një prononcim për gazetën KOHA thotë se familjarët që nga fillimi kanë qenë të vetëdijshëm për obstruksionet që i bëhen Prokurorisë Speciale Publike, megjithatë ai shton se ndërrimi i pushteti për ta ka qenë indikacion i mjaftueshëm se këto pengesa do të marrin fund. Por, përkundër premtimeve të shumta për lirimin e të dënuarve në rastin “Monstra” të cilët gjatë pesë viteve të kaluara kanë ardhur nga politikanë dhe prokurorë të ndryshëm, Bedri Hajdari është i sigurt se të afërmit e tij dhe të tjerët do të lirohen, duke i mbështetur shpresat e tyre ende në punën e PSP-së.

“Duke pasur parasysh se seanca e radhës publike në Gjykatën Supreme është paraparë të mbahet më 12 shtator, ne shpresojmë se deri atëherë do të formohen organet e reja gjyqësore, do të bëhet ndërrimi i kryeprokurorit dhe përfundimisht kjo lëndë të procedohet nga PSP-ja. Ndërsa, në bazë të kontakteve që i kemi me avokatët, prokurorët special në këtë lëndë mund të intervenojnë kur të duan. Nga ana tjetër, ne jemi të vetëdijshëm se për shkak të obstruksioneve që PSP-së i janë bërë gjatë kësaj kohë, qofshin ato nga institucionet apo pengesat ligjore, janë pengesë kryesore pse rasti “Monstra” ende nuk është marrë nga kjo prokurori”, thotë Bedri Hajdari për gazetën KOHA.

Avokati Naser Raufi, i cili mbronte të akuzuarit në rastin “Monstra” dhe “Sopoti”, raste këto që pritej të ndërmerreshin nga PSP, thotë se përfundimi i afatit të ngritjes së aktakuzave nga PSP nuk ka lidhje me rastet tjera, pasi sipas tij, për lëndën e “Monstrës” dhe “Sopotit”, ekzistojnë aktakuza. “Neve nuk na intereson intervali kohor i PSP-së, që për ngritjen e aktakuzave përfundoi më 30 qershor, ne e kemi aktakuzën tonë dhe presim në periudhën që pason të përfshihet edhe prokuroria e Katica Janevës.

Deri më tani nga kjo prokurori nuk kanë thënë se nuk do t’i marrim këto lëndë, por se për vendosjen e kompetencave mbi këto raste ato përballen me vështirësi dhe obstruksione. Këtë rast më mirë mund ta ilustrojmë përmes rasti të “Sopotit”, i cili nga Këshilli i Prokurorëve Publik, gjatë ditës së enjte u vendos që lënda të dorëzohet në Prokurorinë për korrupsion dhe krim të organizuar. Ne jemi të bindur se PSP-ja do t’i merr për procedimin si “Monstrën” ashtu edhe “Sopotin”. Si palë mbrojtëse në këto raste, ne kemi kontaktuar edhe me hetuesit e PSP-së, të cilët na kanë konfirmuar se këto raste në prokurorinë e tyre gjenden edhe në fazën e hetimeve, por arsyeja se pse ato ende nuk e kërkojnë “Monstrën” ka të bëjë me përbërjen aktuale të KPP-së”, thotë për KOHA avokati Naser Raufi.

Ngjashëm si familjarët e të dënuarve në rastin “Monstra”, edhe avokati Raufi tha se është në pritje të përzgjedhjes së organeve të reja në Prokurorinë e shtetit, që më pas Prokuroria speciale lirshëm të mund të paraqitet në seancë publike të Gjykatës Supreme, që pritet të mbahet më 12 shtator. Pengesë tjetër për rastin “Monstra”, sipas tij, është edhe Ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve i cili pritet të ndryshohet së shpejti.

JANEVA PRANON SE NUK E KA KËRKUAR RASTIN “MONSTRA”

Në ditën kur përfundoi mandati për ngritjen e aktakuzave nga PSP, prokurorja Katica Janeva nga Tetova tha se është keqkuptuar deklarata e saj për rastin Monstra, e cila u bë të enjten. Ajo më tej ka pranuar së nuk e ka kërkuar lëndën e rastit “Monstra”, por këtë e arsyetoi më atë se Prokuroria publike nuk ka bashkëpunuar në raste tjera dhe për këtë ka hequr dorë nga kërkesa. “Unë kërkova disa lëndë të caktuara, si Sopoti, Mahxhar Telekom dhe të tjera dhe nuk kishte bashkëpunim, prandaj nuk e kemi kërkuar rastin Monstra. Që ta kërkojmë rastin Monstra, ne patjetër duhet të kemi bashkëpunim me prokurorinë publike dhe gjykatat që të na japin të gjitha dokumentet dhe pastaj ne të prononcohemi në afat prej 8 ditësh se a do ta marrin ose jo atë lëndë. Ne jemi për një bashkëpunim profesional me të gjitha institucionet”, theksoi Janeva gjatë një debati në UEJL në Tetovë. Arsyetimi i saj vjen pasi të enjten ajo u përgënjeshtrua nga Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar, e cila theksoi se Janeva asnjëherë nuk e ka kërkuar lëndën e rastit “Monstra”. Më tej, Janeva lidhur me aktakuzat e përfolura ndaj funksionarëve të BDI-së, tha se “nuk ka aktakuza por ka procedurë parahetimore”.

BEDRI HAJDARI: Duke pasur parasysh se seanca e radhës publike në Gjykatën Supreme është paraparë të mbahet më 12 shtator, ne shpresojmë se deri atëherë do të formohen organet e reja gjyqësore, do të bëhet ndërrimi i kryeprokurorit dhe përfundimisht kjo lëndë të procedohet nga PSP-ja. Ndërsa, në bazë të kontakteve që i kemi me avokatët, prokurorët special në këtë lëndë mund të intervenojnë kur të duan

KRONOLOGJIA E “MONSTRËS”
Më 12 prill të viti 2012 në Liqenin e Smillkovës në Shkup u vranë katër të rinj dhe një peshkatar. Ndërkaq, më 1 maj në lokacione të ndryshme Shkup, u realizua aksioni policor “Monstra”. Në këtë aksion morën pjesë mbi 800 qind forca policor u bastisën dhjetëra shtëpi dhe lokacione dhe u arrestuan mbi 20 qytetarë shqiptar. Ministrja Gordana Jankullovska në konferencë për shtyp tha se janë arrestuar kryerësit e masakrës së Smilkovës, të cilët sipas saj paraprakisht kanë marrë pjesë në aksion guerilë në Pakistan dhe Afganistan kundër forcave të NATO-s, duke i quajtur muxhahedinë. Në aksion u arrestua edhe një plakë e moshës 70 vjeçare si dhe disa gra tjera, të cilat pasi disa ditë u mbajtën në stacionet policore u lëshuan ashtu si pjesa dërmuese e të arrestuarve të tjerë. Personat të cilët u arrestuan me pretekstin se kanë marre pjesë në vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smilkovës, morën padi penale për armë mbajtje pa leje, kurse Fejzi dhe Haki Aziri, Sami Luta, Alil Demiri, si dhe vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, u akuzuan nga policia si realizuesit kryesor të vrasjes së pesëfishtë.
PROTESTA TË NJËPASNJËSHME PËR “MONSTRËN”

Të indinjuar dhe të shqetësuar me mënyrën se si u arrestuan 20-të qytetarët e pafajshëm për rastin “Monstra”, një javë pas bastisjeve gjykatë aksionit në Shkup, u realizuan protesta masive. Protesta e parë që organizua përmes rrjeteve sociale u mbajt më 10 maj 2012 dhe filloi nga Qendra Tregtare “Çairçanja” dhe përfundoi para godinës së Qeverisë. Pas kësaj proteste, në maj të vitit 2012 u mbajt edhe një protestë tjetër, në të cilën u tha se morën pjesë rreth 20 mijë qytetarë. Gjashtë muaj më vonë, më 2 dhjetor të vitit 2012, në Gjykatën Themelore Shkup 1 nisi procesi gjyqësor për rastin “Monstra”. Në listën e të akuzuarve për terrorizëm që e përpiloi prokurorja Gordana Geshkovska gjendej tashmë edhe një emër i ri, Sami Luta. Gjithë procesi u zhvilluar duke u bazuar në dëshminë e një dëshmitari të koduar “E1”, ndërsa si prova materiale ishin marrë vetëm bisedat telefonike mes të akuzuarve, fotografi dhe ilahi islame që i kishin gjetur në shtëpitë e tyre.

DËNOHEN PROTESTUESIT

Më 30 qershor të vitit 2014 u soll aktvendimi i shkallës së parë, ku u dënuan pesë të akuzuarit me burg të përjetshëm, ndërsa njëri, Sejdi Rami u shpall i pafajshëm. Këtë vendim më vonë e konfirmoi edhe Gjykata e Apelit. Revolta e madhe e qytetarëve dhe pakënaqësitë e shumta lidhur me këtë vendim të Gjykatës Penale të Shkupit, kulminuan në protestën e 4 korrikut të vitit 2014. Eskalimi i kësaj proteste dhe dhuna e ushtruar nga policia si rezultat i goditjes me gurrë dhe gjësende të rënda drejt kompleksit të Gjykatave në Shkup, rezultoi me arrestimin e 6 shqiptarëve, të cilët u akuzuan se kanë penguar personat zyrtarë në realizimin e detyrës dhe dëmtimin e godinave të gjykatave. Ata u dënuan me burg prej 3 vjet.

ZAEVI THA SE KA PËRGJIME PËR “MONSTRËN”, POR NUK I PUBLIKOI

Fillimi i publikimit të “bombave” nga kreu i atëhershëm i opozitës Zoran Zaev, ngjalli një shpresë te familjarët e të akuzuarve për rastin “Monstra”. Procesi i jashtëligjshëm i përcjelljes së komunikimeve, të cilët për opinionin më të gjerë e zbardhi LSDM-ja, ndikoi që shumë shqiptarë të mbanë shpresa për lirimin sa më të shpejtë të të akuzuarve. Mirëpo, kreu i LSDM-së pas shumë kalkulimeve dhe hesapeve deklaroi publikisht se përgjimet për rastin “Monstra” nuk do të bëhen publike, duke u arsyetuar se me publikimin e tyre do të cenohej siguria e shtetit. Më vonë ai disa herë deklaroi se “bombën” për “Monstrën” së bashku me materialet tjera ia ka dorëzuar Prokurorisë Speciale Publike.

KRONOLOGJIA E “SOPOTIT”

Lënda gjyqësore e “Sopotit”, e cila i ka kaluar të gjitha shkallët e gjykimit edhe më tej mbetet temë diskutimi në opinion. Vrasja e dy ushtarëve polak dhe një përkthyesi nga mina e vendosur në afërsi të rrugës që shpie për në fshatin Sopot të Kumanovës, ishte shkaku që Gjykata e Kumanovës në vitin 2013 të ngre aktakuzë për terrorizëm kundër 11-të shqiptarëve, të cilat u dënuan me burg të përgjithshëm prej 156 viteve.

PAS 7 VITEVE BURG, LIRI ME KUSHT

Pas shtatë viteve qëndrimi në burg , në shtator të vitit 2010-të Gjykata e Apelit në Shkup, vendosi që për lirimin e plotë të të akuzuarve për rastin e “Sopotit”, gjegjësisht ajo vendosi që rasti të rigjykohet edhe njëher. Ndërsa deri atëherë Zenel Klaiqi dhe gjashtë bashkëfshatarët e tij të mbrohen në liri-në arrest shtëpiak dhe sot e kësaj dite vazhdojnë të paraqiten në gjykatë.

BIGMAN: TË AKUZUARIT JANË TË PAFAJSHËM

Ish-ambasadori i NATO-s në Maqedoni, Nikolas Bigman, në komisionin hetimor për këtë rast pati thënë se të akuzuarit në rastin e “Sopotit” janë të pafajshëm. “Banorët e dënuar të Sopotit janë të pafajshëm. Dënimi i tyre me burg mbështetet vetëm në një deklaratë, e cila është tërhequr një ditë më pas”, patë thënë Bigman, duke shtuar se “nuk mund të kërkosh nga dikush të dëshmojë pafajësinë, nëse pala tjetër nuk ka dëshmi se je fajtor.”

ZAEV: SOPOTI, RAST I MONTUAR

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë në njërën prej “bombave” të publikuara në vitin 2015, tha se rasti i Sopotit mund të ketë qenë i montuar, pasi kanë munguar prova, ndërsa deklarata e dëshmitarit kyç për rastin është marrë me dhunë. Zaev prezantoi audio bisedën që pretendohet të jetë mes ish ministres së Brendshme, Gordana Jankullovska dhe shefit të policisë sekrete, Sasho Mijallkov. Sasho Mijallkov: “Blerimi më kërkoi favore në gjyqësor për më shumë lëndë, midis tjerash edhe për Sopotin. Më trego tash, a u morëm vesh për diç konkrete. A nënshkruam diçka? Gordana Jankullovska: Në mënyrë precize nuk jemi marr vesh. Shihe ti, vlerësoje situatën, çka sjellë kjo në anën tonë të peshores. Ata u qelbën në burg”, thotë Jankullovska. “Këta tanët e kanë zgjidhur me dajak” dëgjohet përgjigja që sipas LSDM-së është i shefit të DSK-së, Sasho Mijallkov.