Për partitë poilitike shqiptare këtë verë nuk do të ketë pushim. Ata të gjithë strategjinë e veprimit poltik do ta përqëndrojnë në zgjedhjet lokale që do të mbahen në muajn tetor. Betaja kryesore e tyre do të jetë për të fituar të parin e Tetovës, Gostivarit e Strugës, vlerësojnë analistët politik për Zhurnal.mk
“Partitë politike shqiptare, në radhë të parë BDI dhe Lëvizja Besa, gjithë strategjinë e veprimit politik do ta përqendrojnë në zgjedhjet lokale, që do të mbahen në vjeshtë. Për këto dy parti /BDI-Besa/, sikundër edhe për ato më të vogla LR PDSH, PDSH dhe RDK, s’do të ketë pushime gjatë verës, sepse tetori, kur mbahen zgjedhjet e prolonguara lokale, do të vijë shumë shpejt, ndaj dhe aktivitetet politike të partive duhet të zbresin në bazë me gjithë kapacitetin që kanë”, thotë Ismail Arsllani, analist poltik për Zhurnal.mk
Sipas tij, këto zgjedhje, ndonëse në nivel lokal, janë me shumë rëndësi, sepse do të përcaktojnë fatin e ardhshëm të partive politike shqiptare dhe jo vetëm të tyre, shkaku se elektorati shqiptar ka shansin e dytë brenda një viti të përcaktohet se cilës parti do t’ia besojë votën që të drejtojë me komunat, të cilat së paku një dekadë nuk kanë lëvizur fort përpara.
“Forcat politike shqiptare në periudhën e ardhshme pritet të përqendrohen para së gjithash në Tetovë, për faktin që ekziston bindja se “Cila parti merr Tetovën, ka fituar zgjedhjet!”. Kjo sintagmë është mjaft motivuese për partitë shqiptare, që garat zgjedhore dhe forcën politike ta orientojnë në këtë qytet, që është njëfarë qendre politike, administrative dhe arsimore e shqiptarëve në Maqedoni, ndaj dhe aty do të jetë më e madhe pesha politike e rezultateve zgjedhore. Pretendentë për të fituar Tetovën, në radhë të parë do të jenë BDI-ja dhe BESA, të cilat do të bëjnë të pamundurën që të ngadhënjejnë. Kjo e para ka një handikap, sepse ka drejtuar këtë komunë në dy mandate, kur qytetarët kanë shfaqur një varg vërejtjesh dhe kritikash për problemet ekologjike, mungesën e ujit të pijshëm, kaosit të trafikut etj., kështu që është rëndë për të fituar sërish besimin e tyre, ndërsa në anën tjetër BESA duhet të propozojë një kandidat karizmatik, të besueshëm, që do ta bind elektoratin e këtushëm për ndryshimet pozitive që mund të bëheshin në të ardhmen. Këtu do të kërkojnë shansin e tyre edhe PDSH-ja dhe LR PDSH-ja, ndërkaq qytetarët janë ata që do të vendosin”, nënvizon Arsllani.
Ai thotë se jo më pak e rëndësishme do të jetë edhe ataku zgjedhor në komunën e Gostivarit, ku do të konkurrojnë të gjitha partitë politike shqiptare që u përmendën, ndonëse do të jetë mjaft e vështirë lufta politike për ta mposhtur kryetarin aktual Nevzat Bejta, po qe se përsëri kandidon për këtë postë.
“Luftë e ashpër ndërmjet partive për të marrë pushtetin lokal do të zhvillohet edhe në Çair, Saraj, Strugë, Likovë, ndërsa në Kërçovë do të jetë një betejë e madhe me votuesit maqedonas”, potencon Arsllani.
Edhe gazetari dhe opinionisti Naser Pajaziti konsideron se ky cikël i zgjedhjeve lokale do të jetë interesant pasi që për herë të parë në kombinatorikat në komunat shqiptare hyn LSDM, e cila ka planet e saj dhe mund ti prish llogaritë partive shqiptare.
“Gara do të jetë me shumë të panjohura, për shkak se LSDM tashmë ka formulën e saj se si të përfitojë terren dhe të marrë vota nga elektorati shqiptar. Në një klimë të ashpërsisë së betejës politike midis partive shqiptare, sidomos kësaj radhe mes BDI dhe Lëvizjes BESA, mund të pritet që LSDM të përfitojë dhe të luajë lojën e saj, duke hyrë në garë të ngushtë apo të shkojë në raund të dytë në disa komuna me shumicë shqiptare. Kjo mund të të ndodhë në Haraçinë, Dibër, Strugë, Vrapçishtë me një kandidat shqiptar ose të komuniteteve pakicë të konfesionit musliman etj. Prishja e hesapeve të partive shqiptare mund të ndodhë edhe në komuna tjera, ku planifikohet dalja e kandidatëve të pavarur, që të kenë përkrahje po nga LSDM ose nga parti tjera”, thekson Naser Pajaziti, gazetar dhe opinionist për Zhurnal.mk
Pajaziti thotë se Tetova, Gostivari, Çairi sërish do të jenë bastionet ku do të zhvillohet beteja kryesore, me ç’rast nga këto komuna do të matet fuqia e partive shqiptare.
“Në Kërçovë dhe Strugë do të jetë e domosdoshme që të përkrahet një kandidat shqiptar që do të kalojë në raundin e dytë, qoftë nga cilado parti. Por edhe komunat e tjera rurale do të jenë target për tu fituar, sidomos Likova, Saraji dhe disa komuna tjera të Pollogut”, nënvizon Pajaziti.
Nga ana tjetër analisti politik Urim Saliu thekson se zgjedhjet lokale dallojnë nga të tjerat, por ato mbeten një barometër për fuqinë politike të një partie.
“Partitë shqiptare tashmë kanë dhënë disa sinjale se kush me cilën mund të koalicionojë, kuptohet më shumë kjo mbështetje do bëhet në raundin e dytë dhe vota maqedonase do jetë shumë e rëndësishme në zona si Tetova, Gostivari, Tearca, Bërvenica, Bogovina dhe disa komuna tjera sepse në këto komuna nuk mund të fitojë ndonjë kandidat maqedonas”, tha Urim Saliu, analist politik për Zhurnal.mk
Beteja për Tetovën, shton ai, do të jetë ndryshe këtë herë, por kush e fiton Tetovën do jetë edhe triumfuesi i zgjedhjeve te shqiptarët.
“Megjithatë partitë shqiptare duhet të kenë unitet midis tyre në disa komuna ku mund edhe t’i humbasin sic janë Struga dhe Kërçova.Te kjo e fundit do jetë një betejë e pakompromis dhe kam bindjen se aty forcat maqedonase do bashkohen për të rimarë këtë komunë të humbur në zgjedhjet e fundit. Nëse partitë shqiptare veprojnë si në zgjedhjet parlamentare duke e përçarë tejmase votën, atëherë sinjalet nuk janë të mira në Strugë dhe Kërcovë”, thotë Saliu.
