Vera mbërriti e me të edhe sezoni i dasmave, që sjell me vete shumë kokëdhimbje të shkaktuar nga pyetjet si: cili restorant, sa të ftuar, cili është këngëtari më i shtrenjtë, cila meny, sa fustane duhet të vesh nusja gjatë një eventi, cilin model flokësh, me pajton a helikopter, me valltarë tradicional apo me nuse të mbuluara në para?
E shumë e shumë pyetje të tjera vërtet të kushtueshme, pjesa më e madhe e të cilave parashtrohet vetëm e vetëm për të kuptuar se çfarë do t’i linte pa fjalë të ftuarit, duke lënë paksa anash kënaqësinë personale apo edhe të çiftit.
Disa prej tyre as që e kanë mundësinë ekonomike për shpenzime të tilla, por në këtë rast bën punë huaja apo kredija, ndonjëherë vetëm e vetëm që dasma t’i përflitet gjatë kohë nga të tjerët.
E kur jemi te ujdia, na vijnë në mendje rezervimet përpos të restoranteve, edhe të këngëtarëve, kameras, fotografit. Për këtë biseduam me Argjend Abdiu, drejtues i KOHA PRODUCTION.
Luksin, sipas tij, më shumë e preferojnë gurbetqarët, ndërsa të tjerët përpiqen që me gjendjen financiare që kanë të krijojnë diçka të bukur. Zemra e veshi ju duan zërat më të shtrenjtë, pagesa për të cilët arrin deri në 6500 euro, ndërsa çmimi më i ulët është 500 euro.
“Më të shtrejtë janë: Shkurte Gashi, Sinan Hoxha, Meda Sinan Vllasaliu, Labinot Tahiri, Mahmut Feratime Shyhrete Behlulin.
Më shumë kanë filluar t’i rezervojnë këngëtarët përmes produksioneve, sepse kanë më shumë siguri kështu. Sa u përket kërkesave për aspektin teknik, deri para dy vjetësh kanë kërkuar vetëm kamer, ndërsa tani kërkojnë, kran, dron full HD, videosesione, fotosesione, pra rreth 30% e dasmorëve kërkojnë paketin e plotë. Tre vitet e fundit gjatë secilit sezon numri i dasmave rrotullohet tek 105. Me përgjegjësi dhe profesionalizëm kemi realizuar këto evente”- tha Argjend Abdiu drejtues i PRODUKSIONIT KOHA.
Për 25 vjet, me një staf professional prej 20 personash, ky produksion ka marrë përsipër të realizojë dasma të drejtuesve të Ekologut, Renovës etj, në disa raste duke siguruar edhe helikopter për marrjen e nuses.
Kur vjen puna te anketat me qytetarët, gjithmonë është më e vështirë. Megjithatë në bisedë e sipër disa prej tyre, veçanërisht meshkujt, thonë se “janë në hall”, sepse nuk guxojnë ta dërgojnë nusën në dy dasma të ndryshme me fustan apo stilim flokësh të njejtë, e ndonjëherë edhe në të njejtën dasëm duhet t’i ndryshojnë.
Në fund të fundit pas gjithë kësaj, s’na mbetet gjë tjetër veçse të themi:
PËR GËZIME HARXHOFSHI DHE U TRASHËGOFSHI!
