Milloshovski: Kërkojmë më shumë transparencë rreth marrëveshjes me Bullgarinë

Deputeti, Antonio Milloshovski, nga VMRO-DPMNE ka kërkuar seancë të shpejtë dhe të hapur në të cilën do të diskutohen detajet nga Marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë.
Nga VMRO kërkojnë nga qeveria dhe kryeministri Zaev që të mbahet seancë e hapur pas deklaratës së ministres së Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, se marrëveshja është e mbyllur dhe nuk e kanë ndërmend të diskutojnë, ndërsa sipas Milloshovskit në këtë marrëveshje nuk janë theksuar gjuha dhe populli maqedonas.

“Kuvendi dhe qeveria janë përgjegjëse dhe duhet të hapin seancë publike që të shikohet se çfarë saktësisht do të nënshkruhet dhe sa i madh do të jetë dëmi nga kjo marrëveshje. Vlerësojmë se kjo marrëveshje do të jetë vetëm në favor të anës bullgare, për kryeministrin bullgar do të jetë fitim për arsye se nuk pranohet populli maqedonas dhe do të jetë një humbje për kryeministrin e Maqedonisë. Kryeministri Zaev tha se ka mundësi për ndryshime në këtë marrëveshje, ndërsa tani del se nuk është ashtu”,- deklaroi deputeti i VMRO-së, Antonio Milloshovski.

Sipas tij, kjo seancë është e domosdoshme për arsye se kur do të nënshkruhet marrëveshje bilaterale, ajo bëhet ligjërisht e vlefshme. Antonio Milloshovski nuk deshi të shpalosë detaje nga seanca paraprake e cila u mbajt me dyer të mbyllura me kryeministrin Zaev, por tha se detyrë e tij është që ta deklasifikojë të njëjtën para opinionit.