Flori Mumajesi: Po luftoj me dhimbjen…

Flori Mumajesi nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe këtë e ka zbuluar në Instagram. Këngëtari ka publikuar një status, ku ka ndarë me fansat shqetësimin e tij, që siç duket po e mundon.

Flori ka treguar se për shkak të një dhimbjeje të madhe në kraharor, rrezikon të anulojë të gjitha koncertet.

“Nuk e di a duhet ta bëja këtë postim apo jo, por e ndjej detyrim për ata njerëz që nuk kanë mundur të më shohin në koncert. Kam dy ditë që luftoj me dhimbjen në kraharor për të mos munguar, për të qenë aty me ju deri në minutën e fundit.

Por nuk ia dola dot dhe kjo është dhimbje më e madhe në të vërtet. Pas këtij lëndimi rrezikoj t’i anuloj të gjitha koncertet. Doktorët më kanë dhënë një afat nga 3 deri në 6 javë për t’u rekuperuar, por unë shpresoj se do të bëhem më mirë më shpejt.

Shpresoj mos t’ju shqetësoj ky postim. Nuk më pëlqen ta dramatizoj më shumë, është një lëndim i kockës brenda në krahë që duhet kaluar vetëm me energji pozitive. Ju dua”,-shkruan Flori në postimin e tij.