Partia apo lideri? Ja ku do fokusohet opozita e Bashës

Gushti ka sjellë një zbrazëti në politikën shqiptare.

Megjithatë kritikët e Lulzim Bashës në Partinë Demokratike vazhdojnë betejën e tyre, kryesisht në rrjetet sociale.

Astrit Patozi vazhdon të bëjë postime online kundër Bashës, duke paralajmëruar zhvillime të reja në vjeshtë.

Por çfarë do të sjellë vjeshta?

Burime zyrtare nga selia blu thanë për Top Channel se “zërat për ndryshimin e lidershipit në shtator janë spekulime të pastra, se asgjë prej tyre nuk është e vërtetë dhe se gjithçka po nxitet për të mbushur zbrazëtinë e gushtit nga lajmet politike”.

Të njëjtat burime thanë se në shtator dy projektet kryesore të Partisë Demokratike në opozitë janë të lidhura me zgjedhjet dhe me kontrollin parlamentar të qeverisë për luftën anti-korrupsion.

Burime zyrtare konfirmuan për Top Channel se projekti për votimin biometrik, pjesë e marrëveshjes Rama-Basha, që përfshin identifikimin biometrik, votimin dhe numërimin elektronik, është projekti i parë që opozita do të nisë në shtator.

Nisma tjetër është ajo e ndryshimit të ligjit për komisionet hetimore, një ligj që nuk ka prodhuar asnjë efekt domethënës dhe është përdorur më shumë si retorikë politike.

Burime pranë opozitës thanë se ndryshimi i ligjit synon t’i bëjë komisionet hetimore bashkëpunuese me SPAK-un dhe Prokurorinë e Posaçme për luftën kundër korrupsionit.

Ndërkohë editorialisti i Mapo-s, Ervis Iljazaj shkruan se duhet një parti e liderit dhe jo e strukturave.

“Strukturat e mëdha partiake, kishin kuptim kur gara politike bëhej midis programeve politike të detajuara, ku të gjitha ato struktura shërbenin për përpilimin dhe hartimin e politikave të caktuara si dhe, për komunikimin midis anëtarësisë dhe lidershipit politik. Tashmë strukturat partiake nuk kryejnë asnjë nga funksionet e sipërpërmendura. Sepse gara politike në politikën e sotme bëhet midis figurave politike dhe personazheve dhe jo mbi programet. Ndërsa për funksionin e dytë, me zhvillimin e mjeteve të komunikimit, strukturat nuk kanë asnjë rëndësi,” shkruan Iljazaj.

Lexoni më poshtë tekstin e plotë: