KB: Fëmijët ushtarë në RD të Kongos ua pinë gjakun viktimave të tyre

Fëmijët ushtarë në Republikën Demokratike të Kongos ua pinë gjakun viktimave të tyre, duke besuar se do t’i bëjë të pamposhtur, theksohet në raportin e KB-së.

Grupi i armatosur “Kamunia Nsapu”, i cili vazhdimisht po kryen sulme në rajonin qendror Kasai, në radhët e saj luftarake ka djem dhe vajza, prej të cilëve shumica janë në moshë mes shtatë dhe 13 vjet, thekson Komisioni për të drejtat e njeriut të KB-së.

Sipas raportit, anëtarët e “Kamunia Nsapu” kanë besuar se rituali magjik, i cili përfshinë pirjen e gjakut të viktimave pa kokë, do të bëjë të pamposhtur. Shumica e banorëve kanë qenë të bindur në aftësitë magjike të fëmijëve, që ka shkaktuar frikë.

Të dhënat e KB-së tregojnë se grupi i armatosur ka ekzekutuar të paktën 79 njerëz, ndërsa viktimat kanë qenë kryesisht përfaqësues të pushtetit.