Thikë të riut në Shkodër/Ja kush janë 2 autorët e arrestuar, tjetri në kërkim

Dy persona janë arrestuar në flagrancë, ndërsa një i tretë është shpallur në kërkim në lidhje me plagosjen me armë zjarri të një të riu në lagjen “Tepe” të qytetit të Shkodrës.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:00, ndërsa protagonistë ishin shtetasit Avdyl dhe Saimir Lushaj, 25 dhe 27 vjeç, banues në lagjen “10 Korriku”, të cilët përfunduan në pranga.

Ndërkohë policia ka deklaruar se ka shpallur në kërkim edhe 20-vjeçarin S. Lushaj.

“Arrestimi i tyre u bë pasi në datë 6 gusht 2017 në vendin e quajtur në hyrje të lagjes “Tepe”, pas një konflikti për motive të dobëta në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë qëlluar me armë zjarri pistoletë, si dhe kanë plagosur lehtë me mjet prerës thikë shtetasin N. L”, sqaron policia.

Ndërkohë në vendin e ngjarjes u gjetën e sekuestruan me cilësinë e provës materiale 7 gëzhoja arme zjarri pistoletë dhe prova të tjera biologjike.

Mësohet se materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale të “Kanosjes”, “Plagosje e lehtë me dashje”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta, e kryer në bashkëpunim”.