Sipas vlerësimit të ekspertëve të bujqësisë, temperaturat e larta dhe sasitë optimale të ujit për ujitje kanë mundësuar që kulturat e orizit të përparojnë në mënyrë të shkëlqyer dhe me sukses t’i kalojnë fazat vegjetative, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Nga fillimi i muajit gusht, orizi është në fazë të kallëzimit, ku mund të vërehet formim i suksesshëm i kallirit. Ekspertët vlerësojnë se deri më tani kushtet kanë qenë pothuajse ideale për këtë kulturë bujqësore dhe nëse kemi stabilizim të temperaturave dhe ka ujë të mjaftueshëm për ujitje, sivjet mund të pritet rendiment mbi mesataren.
Këtë vit, me oriz janë mbjellë 2.500 hektarë, nga të cilët pjesa më e madhe në rajonin prodhues të Koçanit.
