Azizi i BESËS: Pas 16 viteve të Marrëveshjes së Ohrit shqiptarët përballen me skamje, burgje, mbeturina…

Anëtari i kryesisë së Lëvizjes BESA, Adnan Azizi në profilin e tij në facebook ka komentuar 16 vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit. Ai ka theksuar se pas 16 viteve, kjo marrëveshje për shqiptarët ofroi vetëm skamje, burgje, mbeturina dhe zjarre.

“Si mund të ndodh që në të gjitha komunat që udhëhiqen nga shqiptarët, të përballen me deponi të egra, të rrezikshme dhe me pasoja për shëndetin e njerëzve, në të njëjtën kohë të ndezen zjarre, thuajse në të gjitha komunat shqiptare. A thua vallë, ky pushtet shqiptarëve ju krijon ambient zjarri dhe ngulfatje në mbeturina. Pushteti maqedonas i mbështetur nga partitë politike shqiptare që pajtohen me konceptin e 20% dhe te drejtave me përqindje, pas 16 vjetësh së Marrëveshjes së Ohrit ofron vetëm skamje, burgje, mbeturina, tym dhe zjarre…”, ka shkruar Azizi. (INA)