Sot është 21 vjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës që ishte firmosur në Kumanovë, në atë që sot njihet si Maqedoni e Veriut, e që rezultoi me dorëzimin e Sllobodan Millosheviqit dhe fillimin e largimit të forcave ushtarake të shtetit serb nga Kosova.
Kjo marrëveshje kishte ardhur pas një procesi maratonik negociatash në mes të NATO-s dhe gjeneralëve të ushtrisë së Serbisë, të cilët marrëveshjen për tërheqjen e trupave serbe nga Kosova e nënshkruan dy muaj e gjysmë pasi kishte filluar fushata ajrore e bombardimeve të NATO-s mbi caqet e ushtrisë serbe.
Marrëveshja përmbante largimin e të gjitha forcave serbe nga Kosova, ndaljen e bombardimeve të NATO-s dhe kthimin në Kosovë të qindra kosovarëve të cilët ishin larguar me dhunë nga Kosova.
Dy delegacionet kishin treguar për vështirësinë e negociatave, por që kishte rezultuar me një marrëveshje që do të implementonte një plan paqeje për Kosovën pas 78 ditësh bombardime.