29 vjet nga themelimi i “Lidhja e Rinisë Islame” në Maqedoni

Advertisment

Vitet e komunizmit, përpos ndalimit të aktiviteteve partiotike, kishin në shënjestër edhe aktivitetet fetare islame. Aparati shtetëror kishte mbyllur Islamin vetëm në xhami dhe bënte presion që mësimet islame assesi të mos përçohen te të rinjtë.

Me ardhjen e demokracisë, ligjërisht u krijuan kushtet që veprimtaria fetare të mund të veprojë edhe legalisht, ndonëse ende me shumë pengesa e vështirësi. Kështu që, 29 vite më parë, më datë 9 qershor, të rinj të profileve të ndryshme themeluan organizatën e parë rinore islame në Republikën e Maqedonisë, të quajtur Lidhja e Rinisë Islame në Maqedoni (LRIM).

Reklame

“Me 9 qershor 1991, pra, sot e plot 29 vjet më parë, në Shkup u themelua Lidhja e Rinisë Islame. Me vullnetin e çeliktë dhe dashurinë e madhe ndaj Fjalës së Zotit, përmes aktiviteteve të ndryshme islame nëpër qytetet e Maqedonisë dhe më gjerë, kjo organizatë rinore shërbeu si bërthamë nismëtare për rigjallërimim e ndjenjave fetare te popullata muslimane në përgjithësi, dhe si lokomotivë drejtuese e rizgjimit islam të rinisë së këtyre trojeve.

E ngritur mbi supet e shumë të rinjve entuziastë, kontribues të palodhshëm në ngritjen dhe zhvillimin e punës islame, Lidhja e Rinisë Islame vendosi themelet e para institucionale të misionit të shenjtë të Thirrjes Islame, e shtrirë dhe përhapur sot në fusha dhe nivele të ndryshme të veprimtarisë islame në vendet e rajonit.

I lumtur dhe krenar që pata nderin dhe mundësinë të jem pjesë e kësaj shoqërie të mirë, bashkë me gjithë ata njerëz të mrekullueshëm dhe aktivistë të palodhshëm, vëllezër e motra në Islam, i lutem të Madhit Allah që ta ketë pranuar këtë angazhim tonin si një vepër të mirë për hir të Tij, si një dëshmi e dashurisë sonë të pakufishme ndaj Tij, si një përpjekje e sinqertë për ngritjen e Fjalës së Tij”, me këto fjalë e përkujton themelimin e kësaj organizate kryetari i saj Muhamed Murtezi.

Kryesia e zgjedhur e LRIM atëkohë, përbëhej nga 9 anëtarë: Muhamed Murtezi, kryetar; Muhamed Musoski, nënkryetar; Ramiz Omeroviç, sekretar; Zejd Rexhepi; Ridvan Kurtishi; Namik Xhaferi; Muhamed Murat; Adnan Latifi dhe Skender Rushiti.

LRIM ishte shtrirë me degët dhe aktivitetet e saj në më shumë qytete të vendit, duke filluar nga Shkupi, Tetova, Kumanova, Gostivari, Kërçova, Prilepi etj.

Kjo organizatë rinore ka qenë aktive deri në fillimet e vitit 1994.

Për aktivitetin e kësaj organizate dhe arsyet që dërguan deri te shuarja e saj, portali Tetova1 do të publikon një intervistë eskluzive me kryetarin e LRIM, Muhamed Murtezi, i cili edhe sot e kësaj dite është aktiv në veprimtarinë islame dhe shoqërore në Maqedoninë e Veriut /Tetova1/