Valon Krasniqit i ndryshoi jeta më 17 gusht. Krasniqi, 30 vjeç, motoçiklist muskuloz, entuziast, sapo ishte kthyer nga pushimet me familjen në Shqipëri, kur papritur nuk ndihej mirë.
Ai dhe motra e madhe ishin infektuar me COVID. Prej ditësh ai kishte temperaturë të lartë dhe mezi hante apo pinte. Po ashtu dhe frymë merrte me vështirësi.
Familja e tij thërret ambulancën që e çon në një klinikë në vendbanimin e Krasniqit, Bergheim, Gjermani.
Mjekët dhe infermierët ishin dëshmitarë të faktit se si gjendja e 30-vjeçarit përkeqësohej me shpejtësi.
Pas një jave ai pësoi edhe një trombozë në krahun e djathtë dhe u transferua në spitalin St. Vinzenz në Këln.
Më 26 gusht, mjekët e atjeshëm kryen një operacion urgjent për t’i shpëtuar jetën.
“Dhe në të njëjtën mbrëmje që më operuan, më futën artificialisht në koma”, thotë Krasniqi me zë të ulët gati katër muaj më vonë.
30-vjeçari, një person i mirë-stërvitur, i cili dikur peshonte 93 kilogramë, tani është vetëm një “hije e vetes”. Krasniqi është dobësuar dhe ka shkuar 65 kilogramë.
Të bardhët e syve të tij janë zverdhur për shkak se mëlçia e tij pati probleme ndaj barnave të shumta që Krasniqi ka marrë në muajt e fundit. Por Krasniqi buzëqesh, sepse ai mbijetoi.
Në këtë moment mushkëritë e 30-vjeçarit janë aq të dobëta sa mjekët duhet t’i bënin frymëmarrje artificiale.
Edhe kur ekipi mjekësor mundi ta nxirrte nga koma pas pesë javësh, ai mbeti i lidhur me aparatin.
“Rasti i z. Krasniqi është një histori e madhe suksesi”, thotë profesori Christian Strassburg, i cili aktualisht po trajton Krasniqin në Spitalin Universitar të Bonit.







