Sot bëhen 5 vjet nga ndërhyrja brutale e forcave policore në Lagjen e Trimave në Kumanovë ndaj grupit të Kumanovës, ku pati shumë të vdekur, të arrestuar dhe dëme materiale, por që rasti ende nuk është zbardhur i plotë se çka ndodhi dhe kush ishte organizatori.
Skenarin “Kumanova” e kishte paralajmëruar një muaj më herët ish gjenerali i policisë maqedonase Stojaçe Angellov i cili pretendonte se për realizimin e tij janë dhënë 2 milionë euro.
Gjatë luftimeve më 9 dhe 10 maj të vitit 2015 humbën jetën 8 policë të MPB-së dhe 10 anëtarë të grupit të armatosur.
Pas tërheqjes së trupave, lindën dyshime se dy protagonistët e rastit Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj u ekzekutuan pas arrestimit.
Kjo u dëshmua në tre raste: fillimisht Ministria e Jashtme e Maqedonisë në listën e personave nga Kosova të arrestuar në Maqedoni i kishte futur edhe dy të lartpërmendurit, më pas mjekësia ligjore në Kosovë vërtetoi se Rizaj e Ndrecaj janë ekzekutuar pas arrestimit ndërsa në fund këtë e thanë edhe dëshmitarët e mbrojtur, përkatësisht një polic i cili në seancë dëshmoi se Begun e ka arrestuar të gjallë.
Ndonëse kanë kaluar 5 vjet dhe në Maqedoninë e Veriut është ndryshuar pushteti, ende nuk ka një epilog të qartë se çfarë u ziej në Kumanovë dhe kush ishte organizatori. /Tetova1