53 të infektuar me koronavirus në një fabrikë tekstili në Shën Nikollë

Advertisment

Në kompaninë e tekstilit “Moda” nga Shën Nikolla janë konfirmuar 53 të punësuar të infektuar me koronavirus. Sot në adresë të kompanisë kanë arritur rezultatet e testimeve që të hënën u janë bërë punëtorëve. 80% e rasteve nuk kanë simptoma, prandaj edhe numri është aq i madh. Punëtorët nuk e kanë ditur se janë të infektuar, sqaron për Alsat, pronari i kompanisë, Angel Dimitrov. Punëtorët e tjerë janë me pasqyrë të lehtë klinike, kanë rritje të lehtë të temperaturës që kalon shpejtë dhe disa që kanë humbur ndjesinë e shijes dhe simptoma të ngjashme. Nga kjo kompani janë testuar 610 të punësuar.

Nga e hëna kompania do punojë vetëm me një ndërrim. Në punë do vijnë vetëm ata që janë negativ në testim dhe ata që nga testimi deri tani nuk kanë shfaqur asnjë simptomë. Shpresoj që prej nesër në Shën Nikollë numri do të ulet dhe se masat parandaluese do japin rezultat dhe se njerëzit janë të vetëdijshëm”-tha Angel Dimitrov, pronar i kompanisë.

Reklame

Pas lehtësimit të masave nga Qeveria, shprehet Dimitrovi, njerëzit janë relaksuar, ndërsa një pjesë e madhe edhe nuk kanë besuar në virusin. Ndryshe, në Shën Nikollë ka edhe dy fabrika me numër më të madh të punëtorëve të infektuar, njëra e sektorit të tekstilit, ndërsa tjetra në industrinë ushqimore, shprehet Dimitrovi. Por, atje ka një numër dukshëm më të madh të të infektuarve në raport me kompaninë e tij. Në Shën Nikollë numri i rasteve aktive tejkalon shifrën 150.

Edhe Shtipi është njëra prej komunave ku në dy javët e fundit shënon rritje numri i të infektuarve pikërisht në fabrikat e tekstilit. Shoqata “Gllasen tekstilec” prej fillimit të pandemisë disa herë ka akuzuar për abuzimin e të drejtave të punëtorëve nga sektori i tekstilit. Ulje të pagave, pushime të detyrueshme, po edhe përjashtimet nga puna ishin vetëm një pjesë e akuzave të aktivistëve nga kjo shoqatë kundër punëdhënësve të fabrikave të tekstilit në Shtipit.