76 raste të reja me Covid-19 dhe një viktimë! Në mesin e të infektuarve edhe kreu i Çairit, Visar Ganiu

76 raste të reja me Covid-19 janë regjistruar brenda 24 orëve në gjithë vendin. E në mesin e këtyre të infektuarve është kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu. Ai dy ditë më parë informoi se është vetizoluar për shkak se kishte pasur kontakt me person i cili ka qenë i infektuar me koronavirus.

“Kjo është edhe një dëshmi që virusi ekziston dhe ndoshta është momenti i fundit që çdo qytetarë të bindet se virusi ekziston dhe nuk zgjedh a je kryetar, drejtor apo i ndonjë profesioni tjetër por është në mesin tonë. Bëj apel nga thellësia e zemrës që qytetarët t’i respektojnë distancën sociale, të funksionojnë me mjete mbrojtëse të dezinfektojnë duart”, tha Visar Ganiu, kryetar i komunës së Cairit.

Reklame

Ganiu u shpreh se është mirë me shëndet, nuk ka simptome të ashpra por vetëm ethe.

Nga ana tjetër për shkak se në Çair dhe Studenican është shtuar numri i personave të infektuar me Covid-19, Instituti i Shëndetit Publik ditëve të fundit po punon me intensitet të shtuar.

“Po punojmë intensivisht edhe në Shkup, Çair dhe Studeniçan. Numër i madh nga numri i përgjithshëm i kontakteve të të sëmurëve të mëparshëm janë në korniza të 10 familjeve dhe këtu po bëhen intervista dhe po izolohen dhe testohen persona në bazë të rrezikshmërisë”, tha Venko Filipce, ministër i Shëndetësisë.

Gjithashtu edhe Qendra për Shëndet Publik në Kumanovë po punon me kapacitete të shtuara dhe po ndihmohet nga epidemiologët nga Kratova dhe Kriva Pallanka, për shkak se dje nga 12 të infektuarit e rinj nga Kumanova, 11 ishin nga Likova. Përveç 76 rasteve të reja, ministria e Shëndetësisë informon se gjatë 24 orëve janë regjistruar 26 pacientë të shëruar dhe një viktimë.