A do të veprojë Maqedonia si Anglia? Panovski: Certifikatat e vaksinimit nuk kanë dhënë efekt!

“Nga dita e parë e javës së ardhshme kërkimi i certifikatave do të përfundojë. Qeveria më nuk do të urdhërojë bartjen e maskave kudo”, tha Boris Xhonson, kryeministër i Britanisë së Madhe.

Nëpër hyrje në ambiente të ndryshme në Angli më nuk do të kërkohet certifikata e vaksinimit anti-covid, ndërsa nga e enjtja anglezët nuk obligohen as të mbajnë maska. Kryeministri Xhonson ka vendosur të heq kufizimet anti-covid pasi që vlerëson se kulmi i valës është arritur dhe rastet e reja kanë rënë.

Reklame

Po a do të ndodh e njëjta edhe në vendin tonë? Ka 5 muaj që qytetarët e pavaksinuar nuk mund të vizitojnë objektet gastronomike, qendrat tregtare e kështu me radhë. Mikrobiologu Nikolla Panovski dhe disa mjekë të tjerë masën nuk e shohin si të dobishme. Panovski thotë se është absurde t’u kufizohet liria e lëvizjes njerëzve të shëndoshë. Vlerëson se duhet të hiqet edhe masa për kërkim e certifikatave të vaksinimit nëpër pika kufitare.

“Në aspekt mjekësor u soll masë që nuk ka arsyetim mjekësor pasi që pas 3-4 muajve kur nisi vaksinimi, dihej se vaksinimi mbron më dobët, posaçërisht nga variant Delta dhe Omicroni, thuajse njësoj edhe të vaksinuarit edhe të pavaksinuarit e transmetojnë sëmundjen dhe se ato nuk e kanë rolin të ndërpresin përhapjen. Doli që po keqpërdoret në disa vende, po ashtu edhe vlerësohet se provohet të shihet sa mund të kontrollohen qytetarët, sa janë të durueshëm“, pohoi Nikolla Panovski, mikrobiolog.

Profesori Panovski e vë në pikëpyetje edhe origjinalitetin e dokumenteve që dëshmojnë imunizimin. Ai dyshon se ka qytetarë që falsifikojnë vërtetimet e vaksinimit.

“Masa bëri që një numër i madh i qytetarëve kanë certifikate të rrejshme të vaksinimit, pra nuk ishin të vaksinuar. Kemi statistika të gabuara për të vaksinuarit, nuk e dimë kush me të vërtetë është vaksinuar e kush ka vetëm të dhëna se ndoshta janë vaksinuar. Kështu që unë kam qenë i pari që kam thënë që para dy jave që masa duhet të hiqet. Masat e këtilla janë turp për civilizimin evropian dhe botëror”, tha Nikolla Panovski, mikrobiolog.

TV21 kërkoi qëndrim edhe nga Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, por i njëjti nuk u përgjigj nëse po mendon për shfuqizimin e masave aktuale anti-covid ose vendosjen e ndonjë mase të re.

Në një deklaratë për “Sitell”, Sali ka thënë se është herët të flitet për heqjen e masave për të pavaksinuarit, ngaqë niveli i imunizimit në vendin tonë është shumë i ulët në krahasim me shtetet ku është hequr kjo masë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë u ka kërkuar vendeve të marrin në konsideratë anulimin e kërkesës së certifikatave të vaksinave gjatë udhëtimit në shtete tjera, sepse siç shprehen, masa nuk ka ndikuar që të parandalohet përhapja e varianteve të reja. Ndryshe Komisioni për Sëmundje Ngjitëse pas takimit të sotëm ka dalë me propozim që izolimi i qytetarëve pozitiv nga 10 të shkurtohet në 7 ditë.