A e nxori Kurti incizimin nga Munih, për ta arsyetuar uljen në një tavolinë me Vuçiqin?

Advertisment

Fjala e Kryeministrit Albin Kurti, në panelin e mbajtur në Munih, ka rrjedhur në opinion si incizim, duke thyer kështu rregullat Chatham House Rule, sipas të cilave pjesëmarrësit nuk kanë të drejtë t’i nxjerrin ato që fliten në tryezë.

Incizimi i fshehtë dhe publikimi i videos së Kurtit ishte i vetmi që ka ndodhur nga kjo konferencë me dyer të mbyllura dhe përbën një skandal diplomatik.

Reklame

Video është transmetuar live në Facebook nga llogaria e një personi të quajtur Brahim Demaku, të cilën ai e ka fshirë sot.

Diskutimi i Kryeministrit të Kosovës u zhvillua në margjinat e Forumit Ndërkombëtar të Sigurisë, i cili nisi punimet të premten në Munih, me pjesëmarrjen e 35 udhëheqësve të shteteve dhe qeverive.

Në këtë tryezë, i pranishëm ishte edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic.

Kurti, sa ishte në opozitë, kishte deklaruar se nuk do të pranonte të ulej në tavolinë me përfaqësuesit e Serbisë, pa kërkuar falje Serbia për krimet ndaj Kosovës. Këtë qëndrim, ai e ndërroi gjatë intervistës së kësaj jave në Rubikon, kur tha se do të pranonte të ulej në tavolinë me ta edhe pa kërkuar falje.

Kryeministri Kurti edhe u ul në një tavolinë me Vucic, të premten.

Incizimi i fjalës së Kurtit, në të cilën ai ishte i ashpër me Vucic, dhe rrjedhja e tij në media duket se e kishte pikërisht këtë qëllim, që ai të arsyetohej për uljen në një tavolinë me Presidentin e Serbisë, si dhe për t’u mbrojtur nga sulmet e mundshme që kishte mbajtur “takim të fshehtë”, meqë konferenca ishte me dyer të mbyllura.

Vetë Kurti, në një intervistë për Evropën e Lirë, ishte kujdesur të thoshte se nuk e konsideron takim me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vucic, pjesëmarrjen e përbashkët në një tryezë në Munih.

“Unë nuk jam takuar me Vucicin. Kemi qenë në një tryezë të rrumbullakët, ku kanë qenë të ftuar të gjithë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ai.

I pyetur të komentojë debatin me dyer të mbyllura, për të cilin Vucic tha se ishte “i ashpër”, Kurti ka deklaruar se nuk dëshiron të japë detaje, duke u thirrur në rregullat e organizatorit të panelit, që nuk lejojnë të bëhen publike pikëpamjet e pjesëmarrësve, Chatham House Rule.

Megjithatë, Kryeministri Albin Kurti pohoi se Vucic kishte ndjerë shumë presion, për shkak të asaj që kishte thënë.

Incizimi i fshehtë dhe shpërndarja e fjalës së Kurtit në këtë konferencë, përkundër rregullave që e ndalojnë një gjë të tillë, po shihet si një lojë tjetër e tij në vazhdën e manipulimit të opinionit me qasje populiste.

Pjesëmarrësit në Konferencën e Munihut kanë qenë të akredituar, dihet saktësisht kush ishte i pranishëm në sallë dhe është e mundshme që të hetohet nga organizatorët se si ka rrjedhur ky incizim