A është e mundur një valë e re pushimesh nga puna në vjeshtë?

Drejtoresha e Agjencisë për punësim Biljana Jovanovska thotë se më e keqja ka përfunduar dhe pret stabilizimin e tregut të punës. Por, ndryshe nga ajo, analisti ekonomik Arben Halili nuk e përjashton mundësinë e pushimeve të reja nga puna nëse masat kufizuese vendosen serish.

Agjencia për punësim ka regjistruar 11.734 persona të papunë që nga fillimi i pandemisë me koronavirusin nga marsi deri në fund të korrikut, por ata nuk presin që tendenca e tillë e pushimeve nga puna të vazhdojë në vjeshtë. Shumicës së personave të pushuar nga puna, ose rreth 48 %, iu kishin përfunduar kontratat me afat të caktuar, pastaj pothuaj 24 % e kanë ndërpre punën me marrëveshje, mbi 10 % kanë dhënë dorëheqje dhe mbi 7 % janë pushuar nga punëdhënësi i tyre. Ndërsa 5 % u pushuan nga puna për arsye të ndryshme afariste, 1 % për shkak të falimentimit, 0.7 % për shkak të ndërprerjes së veprimtarisë dhe gati 3 % kanë mbetur pa punë për arsye të tjera, shkruan REL, transmeton Portalb.mk.

Reklame

I pyetur nëse priten pushime të reja nga puna nëse, masa të reja restriktive, aplikohen në përputhje me njoftimet e Ministrit Venko Filipçe i cili nuk e përjashtoi këtë mundësi varësisht nga situata me epideminë, drejtoresha e Agjencisë për punësim Blijana Jovanovska në një intervistë, që do të transmetohet plotësisht të dielën, tha se më e keqja ka kaluar.

“Oferta dhe kërkesa në tregun e punës dhe në krizën e kovidit pësoi lëvizje të madhe. Kishim ditë kur kërkesa për punë, pra vendet e lira të reklamuara arriti deri në tetë mijë. Dikur ishin 400 mijë. Pra, mesatarja ishte 6000 vende të lira. Besoj se do të ketë lëvizje. Por, për mendimin tim, e gjithë situata do të stabilizohet dhe ne e kemi kapërcyer periudhën më të keqe. Pres që të ketë një stabilitet dhe lëvizje në ngritje, pra një linjë pozitive në pjesën e tregut të punës dhe në pjesën e punësimit dhe uljes së papunësisë”, thotë Jovanovska.

Shumica e atyre që janë larguar nga puna janë nga industria e përpunimit ose pothuajse 40 %, e pastaj pothuaj 20 % e tregtisë me pakicë, si dhe rreth 9 % e aktiviteteve të akomodimit dhe shërbime me ushqim. Mbi gjysma kanë arsim të mesëm jo të plotë ose të përfunduar, 25 % janë pa arsim ose arsim fillor dhe gati 18 % e atyre që humbasin punën e tyre kanë arsim të lartë. Pothuajse gjysma e tyre janë midis moshës 30 dhe 49 vjeç, pas tyre 27 % janë mbi moshën 50 vjeç, ndërsa më të rinjtë në moshën deri 29 vjeç përbëjnë pjesën e mbetur 25 %.

Në tregun e punës më së shumti kërkohen punëtorë të përgjithshëm, shitës dhe kamerierë, pastaj punonjës për higjienë, shoferë të kamionëve, autobusëve dhe taksive, si dhe punëtorë në ndërtimtari, punëtorët në fushën e teknologjive të informacionit dhe inxhinierët mekanikë dhe të ndërtimtarisë.

Numrat për momentin nuk janë të kënaqshëm, thotë analisti ekonomik Arben Halili.

“Duke pasur parasysh deklaratën e Ministrit, e cila besoj se është e bazuar në situatën reale që po ndodh në terren, do të thotë që patjetër do të ketë nevojë për masa mbrojtëse të reja, të cilat sigurisht kompanitë do të duhet të sigurojnë në mënyrë që të mbrojnë punëtorët e tyre. Nga ana tjetër, nëse ndërmerren disa masa më rigoroze, përkatësisht për të parandaluar shkuarjen në punë për shkak të aplikimit të orës policore etj., sigurisht që do të ketë ndikim negativ mbi tërë ekonominë. Kjo me siguri do të nënkuptojë largim të punëtorëve nga puna, sepse fatkeqësisht kompanitë nuk do të jenë në gjendje të mbulojnë shpenzimet operative nëse shumica e punëtorëve të tyre të regjistruar nuk do të jenë në gjendje të jenë në punë”, tha Halili.

Qeveria ka siguruar 555 milionë euro për t’u përballur me krizën e shkaktuar nga kovid-19, ndërsa një pjesë e fondeve ishin për të ruajtur likuiditetin e kompanive. Më shumë se 22.000 kompani me 122.000 të punësuar morën ndihmën e qeverisë për të paguar pagën minimale për muajt prill, maj dhe qershor për të parandaluar pushimet nga puna dhe për të ruajtur vendet e punës.

Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut informoi se në periudhën nga 10 Mars deri më 30 Qershor të këtij viti janë regjistruar 197 raste të shkeljeve të të drejtave të punës, me të cilat janë prekur gjithsej 2.723 punëtorë, ndërsa mbi 60% të raporteve kishin të bëjnë me punonjëse, me çka kriza e ka fituar edhe dimensionin gjinor.

Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me kovid në vendin tonë që nga fillimi i epidemisë është 13194, numri i pacientëve të shëruar është 9752, numri i vdekjeve është 554, ndërsa aktualisht numri i rasteve aktive në vend është 2888.