A janë gati Zaev e Kasami për të koalicionuar? Asnjëri nuk i hedh poshtë mundësitë për bashkëpunim (VIDEO)

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa shpallën koalicionin mes tyre. Me këtë Lëvizja Besa mbeti jashtë ndërsa mbrëmë kryetari i saj Bilall Kasami gjithë procesin e përpjekjeve për krijimin e koalicionit trepalësh i quajti lojëra dhe taktizime të dy partive të cilat sipas Kasamit paraprakisht ishin marrë vesh për koalicion.

Por a është e hapur rruga Lëvizjes Besa që tani e tutje të shoh për koalicione të tjera. Kasami mbrëmë tha se partia e tij ka humbur shumë kohë duke u marrë me bashkëpunimet mundshme. Megjithatë nuk hedh poshtë asnjë koalicionim të mundshëm, përfshirë edhe me LSDM-në, për të cilin u pyet…

“Kur do të vijë koha nëse do të ketë oferta dinjitoze, sigurisht që ky kuvend që jemi mbledhur sot do ta diskutojë dhe do të vendosë në mënyrë meritore”, tha dje Bilall Kasami.

I hapur për të gjithë është edhe kreu i LSDM-së Zoran Zaev, ndonëse ai për momentin është në pushtet e Besa në opozitë.

Edhe pse nga Besa deri më tani e kanë mohuar që të kenë folur me parti të tjera, Zaev me shaka la të kuptohet se të gjithë kryetarët flasin me njëri-tjetrin.

“Mbrëmë nuk jam dëgjuar me Lëvizjen Besa… por mund të jem dëgjuar pardje, para ca ditësh, dëgjohem me të gjitha partitë politike, të gjithë flasin me njëri-tjetrin…”, deklaroi fillimisht Zaev.