A janë të përfshirë ndërkombëtarët në zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri

12

“I fortë me politikanët, politikan me të fortët”, me këtë shprehje deshi ta karakterizonte figurën e Edi Palokës, moderatori Adi Krasta teksa e kishte të ftuar në programin e tij “A ShoW” në News 24. I ftuari i tij tregoi detaje nga jeta, karriera dhe tha se gjëja që e rebelonte më shumë ishte padrejtësia.

“E marr për kompliment këtë që thoni ju. Diçka që më ka futur në politikë më bëri të mendoj që me atë regjim kishte diçka që nuk shkonte, ishte padrejtësia. Padrejtësia mua më irriton.

Një polic më çoi nga stadiumi dhe uli një mikun e vetë, që aty fillova ta urrej atë regjim. Polici që për mua përfaqësonte shtetin, mund të duket qesharake, por unë fëmijë e përjetova shumë. Në gjithë jetën time padrejtësia më ka bërë të reagoj”.

Por a mund të bëhet Paloka pre e abuzimeve, siç ndodh me pushtetarët e tjerë. Në një situatë hipotetike ai u shpreh: “Ku i dihet kur të bëhem ministër nuk e vë dorën në zjarr,..por ajo ndjenja e drejtësisë nuk të bën të abuzosh. Mendoj se e gjitha është tek individi, tek njeriu”.

 

Referuar sondazheve, demokrati tha se sot PD është partia më e madhe në Shqipëri. “Njerëzit e shprehin, kanë besim e shohin PD dhe opozitën si shpresën për të ndryshuar gjërat. Fryma ka ndryshuar në pak kohë, por ka ndryshuar”, thotë nënkryetari i PD.

I pyetur për tentativa të nëndheshme të përdorura nga qeveria, për të biseduar për zgjidhjen e krizës politike, Paloka u shpreh: “Arroganca që shprehet publikisht është edhe e nëndheshme. Nuk ka komunikim, por kanë lëvizur disa nga ata personazhet ndërkombëtare, jo shumë të bujshme por që kur lëvizin, lëvizin fort.

Unë shpresoj të na çojnë diku, se po u vazhdua me këtë arrogancë të fusësh kokën si struci e të mos duash të shohësh, asgjë nuk është e mirë. Askush nuk po trembet nga arrestimet nga gazi, përkundrazi këto gjëra po sjellin reagime negative, pra në këtë situatë që jemi askush nuk do acarime të padëshiruara”,- thotë ai.