A ka ndërruar jetë i burgosuri nga kovid-19? Të gjithë që kanë pasur kontakt me të nuk kanë koronavirus!

Advertisment

I paraburgosuri i cili ndërroi jetë para tri javëve në burgun e Shutkës, ka vdekur nga një sulm në zemër. Megjithatë, ai në statistikën e Ministrisë së Shëndetësisë është regjistruar se ka vdekur nga koronavirusi. Avokati Asmir Alispahiq, avokat në këtë rast, pyet se si është e mundur që vetëm ai të infektohet me koronavirus, kur asnjë i burgosur apo polic që kanë pasur kontakt me të, nuk është infektuar? Nuk ka të prekur edhe në familjen e tij.

“Atje i është bërë test pas vdekjes, u konfirmua se ka qenë i infektuar me Kovid-19. Me të vërtetë parashtrohen dy pyetje, pyetja e parë – si mundet në një institucion të mbyllur të hyjë Kovid-19? Nën dy – а është intervenuar apo jo në kohë rreth mjekimit për parandalimin e Kovid-19”, theksoi avokati Asmir Alispahiq.

Reklame

Zëvendësdrejtori i burgut, Sadush Arifi, thotë se në burgun e Shutkës janë bërë mbi 150 teste për virusin në fjalë, por se askush nuk ka dalë pozitiv.

“Nuk mund të jap përgjigje për këtë, është diçka interesante se prej ku dhe si është infektuar. Por, do të presim dhe do të shohim se si do të vijojnë rastet në të ardhmen. Kemi rritur nivelin e personelit mjekësor, kemi bërë hulumtime. Kemi bërë kontrolle të shtuara. Kemi çdo ditë nga dy mjekë dhe nga dy ndihmesa nga Shëndeti Publik” deklaroi Sadush Arifi, zëvendësdrejtor i Burgut.

Ministri Venko Filipçe pohon se i burgosuri ka vdekur nga një sulm në zemër, por, siç thotë, pas vdekjes është testuar dhe testi ka dalë pozitiv. Sipas informacioneve të TV21, të burgosurit i janë bërë 3 teste, dy prej të cilave kanë qenë negative, kurse rezultatet e testit të fundit kanë dalë pozitive.

“Ka një të burgosur në burgun e “Shutkës” i cili praktikisht ka vdekur nga një sulm në zemër. Nuk ka pasur simptoma, e as temperaturë të lartë. Atje ishte pranuar më datën 8 të muajit të kaluar. Megjithatë, autopsia, pas mostrës së marrë, ka rezultuar pozitive ndaj virusit” deklaroi ministër i shëndetësisë Filipçe.

Edhe pse në dokumentet e obduksionit shkruan se i burgosuri ka vdekur nga një sulm në zemër, megjithatë personi është regjistruar në listën e njerëzve që kanë vdekur nga Kovid-19. Zëvendësdrejtori Arifi thotë se nëse familja ka dyshime lidhur me rastin, atëherë duhet ta kontaktojnë institucionin e tyre, duke theksuar ata i kanë bërë të gjitha testet e mundshme./TV21