AAK-ja premton 300 euro pagë minimale dhe pagesa sociale

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka lavdëruar qasjen e partisë së tij për ekonominë, duke thënë se ajo jep propozim konkret se si të ndalet rënia ekonomike, si të rritet paga minimale në 300 euro, që nënkupton edhe kategoritë e lirisë, edhe veteranët t’i marrin 300 euro. “S’do të ketë pagesë nën 300 euro as në skema sociale”, kathënë ai
Prishtinë, 6 Kaçanik – 300 euro për cilëndo pagesë nga skema sociale, por edhe për pagë minimale, ka premtuar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Këtë premtim e ka dhënë prijësi i listës së AAK-së, Ramush Haradinaj, në tubimet e së shtunës në Kaçanik e Ferizaj. Ai ka lavdëruar qasjen e AAK-së për zhvillimin ekonomik.

“Jo vetëm që do ta ndihmojë Kosovën pas zgjedhjeve, por u ka ndihmuar partive edhe tash duke ua dhënë propozimin konkret se si të dalin, se si ta ndalin rënien ekonomike, si ta rikthejnë ekonominë, si ta rrisin pagën (pagën minimale) në 300 euro, që nënkupton edhe kategoritë e lirisë, edhe veteranët t’i marrin 300 euro. S’do të ketë pagesë nën 300 euro as në skema sociale”, është shprehur ai.

Reklame
HTML Image as link Reklamë:
Qries

Haradinaj në Kaçanik ka thënë se Kuvendit të Kosovës do t’i kthehet përsëri ligji i pagave dhe se do të rriten edhe pagat në sektor civil.

“I jep dinjitet të gjithë shërbyesve civilë. Ua garanton statusin financiar. I nderon mjekët, policët e të gjithë të tjerët. Do të shkojmë më pas nga viti në vit, siç e parasheh rritja ekonomike; edhe me rritje ekonomike, edhe me rritje të pagave”, ka thënë ai.

Në Ferizaj u panë tre zyrtarë policorë e një nga ta ka hyrë edhe brenda sallës së tubimit me rreth 100 veta. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi, ka thënë për KOHËN se prania e tyre është në bazë të planit operativ të Policisë për zgjedhjet. Pa e konfirmuar apo mohuar gjobitjen e AAK-së, Gashi ka thënë se të hënën publikohet raporti policor nga i cili bëhen të ditura gjobat për shkeljen e masave anti-COVID.

Ndërkaq, në tubimin në fshatin Bibaj në Ferizaj ka premtuar po ashtu se në pozitën e presidentit do ta detyrojë Serbinë ta njohë Kosovën, duke ia paraqitur si kundëralternativë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

“Unë i bëj të fala Vuçiqit. Bëhu gati ta njohësh Kosovën, bëhu gati, se s’mund të na vonosh më. S’kemi kohë të presim. Se ashtu siç kemi krijuar ushtri e kemi ecur me pavarësim energjetik. Vaj halli i punës tënde, ne vazhdojmë rrugës tonë e bashkohemi me Shqipëri… O do ta njohësh, o do ta marrësh veten në qafë”, ka thënë Ramush Haradinaj.

Edhe gjatë së shtunës, ai ka folur për përkushtimin e tij për historitë e luftës së tij me Serbinë gjatë dy tubimeve. Ndërsa tashmë kanë dalë edhe video që e paraqesin kandidaturën e Vjosa Osmanit të Vetëvendosjes për presidente si “të dobët”, për shkak të ndryshimit të qëndrimeve të saj në raport me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Kosova ka nevojë për një president të fortë për të mbrojtur territorin, sovranitetin dhe lirinë tonë. Me fqinjin tonë grindavec, gjithnjë e më agresiv, ne nuk mund t’i lejojmë vetes asnjë moment dobësie. Më 14 shkurt vota juaj do të përcaktojë se kush do të jetë ky president. Nëse ende dyshoni, bëjini vetes vetëm një pyetje: Kë do të zgjidhte Vuçiqi si kundërshtarin e tij?”, shkruhet në përshkrimin e një videoje në faqen e AAK-së në Facebook, ku, ndër të tjera, pretendohet se Haradinaj “është i vetmi që mund të dalë kundër Vuçiqit”. Veç të tjerash, në rrjete sociale ai e ka falënderuar me postim të veçantë edhe diasporën, duke i kërkuar votën për, siç ka shkruar ai, referendumin e 14 shkurtit.