Abramovich rikthehet në futboll nga Turqia: ja klubi që synon rusi

Pasi ka nxjerrë në shitje Chelsean për shkak të sanksioneve të qeverisë britanike për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, Roman Abramovich nuk ka plane të largohet nga bota e futbollit.

Sipas portalit turk ‘Fanatic’, në fakt, të besuarit e biznesmenit rus dhe përfaqësuesit e presidentit në largim Mehmet Sepil kanë nisur negociatat për blerjen e klubit turk të Göztepe. Takimi mes palëve pritet në ditët në vijim.

Pas ngrirjes së aseteve nga qeveria britanike, manjati ka vendosur të largojë nga Europa jahtet e tij, xhevahiret e vërteta të inxhinierisë detare. Anija më e njohur e Abramovich është Eclipse, e cila është parë në portin e Marmaris.

Nga ana tjetër, jahti tjetër i oligarkut, My Solaris, ndodhet në Bodrum, një qytet tjetër turk jo shumë larg nga ai i mëparshmi. Zgjedhja e Turqisë si një strehë e sigurt shpjegohet me mospërputhjen e vendit të Erdoganit në vijën e sanksioneve evropiane të promovuara kundër Putinit.