Adelina Thaçi thotë se gjendja e Cimës po përmirësohet, ndërsa bën apel për kujdes

Ka tash e sa ditë që në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, po trajtohet aktori i njohur i humorit, Rasim Thaçi – Cima.

Ai po vuan nga COVID-19, teksa për shërimin e tij ditë më parë janë kërkuar, e më pas siguruar mbi 50 antitrupa, nga vullnetarët e grupeve të gjakut A pozitiv dhe negativ, të cilët e kanë kaluar virusin.

Ishte bija e tij, këngëtarja e njohur Adelina Thaçi, e cila bëri kërkesën për dhurimin e plazmës, gjersa më pas njoftoi se ishte siguruar.

Të enjten, këngëtarja Thaçi vendosi t’i mbajë të azhurnuar ndjekësit e saj në rrjetet sociale, mbi gjendjen e babait të saj, humoristit Cima, i cili po vazhdon të kurohet në spital.

Ajo ka publikuar një fotografi nga QKUK-ja, ku shfaqet me maskë dhe doreza, ndërsa bën apel që të mos neglizhohet kujdesi ndaj coronavirusit.