Afër 1 500 padi penale gjatë kohës së pandemisë, ja sa ka në Tetovë

Që nga fillimi i gjendjes së jashtëzakonshme e deri më sot, Prokuroria Publike ka ngritur 1.489 padi në bazë të nenit 206 të Kodit Penal për mos respektimin e rregullave shëndetësore në kohën e pandemisë së Koronavirusit. Nga raporti i organit të akuzës thuhet se për një muaj e gjysmë deri te 21 Gjykatat Penale në gjithë vendin janë proceduar 1.378 padi për shkelje të orës policore, 103 padi për shkelje të vendimit për izolim dhe 8 padi për objektet hotelierike.

Prokuroria Publike:

Shkup – 382 padi, Manastir – 150 padi, Strumicë – 114 padi, Prilep – 127 padi,

Tetovë – 107 padi, Shtip – 83 padi, Gostivar – 82 padi,Kavadar – 78 padi,

Kumanovë – 57 padi, Koçan – 55 padi, Veles – 51 padi, Dellçevë – 40 padi,

Gjevgjeli – 37 padi, Radovish – 36 padi, Strugë – 29 padi, Berovë – 20 padi,

Resen – 17 padi,Dibër – 9 padi,Sh. Nikollë – 8 padi,Ohër 6 dhe Kërçovë 1 padi.

Nga Gjykata Penale konfirmuan se lëndët kanë të bëjnë me gjoba nga 2 deri në 5 mijë euro, por nuk na dhanë një shifër të saktë se sa prej këtyre padive kanë marrë epilog gjyqësor në gjithë vendin. Me numra u përgjigjën nga Gjykata Themelore e Shkupit, ku vetëm në kryeqytet gjatë kohës së pandemisë kanë pranuar 345 padi nga Prokuroria e Shkupit për shkelje të nenit 205 dhe 206 të Kodit Penal.

Gjykata Themelore e Shkupit:

“Nga gjithsej 345 lëndë gjyqësore u morën 326 vendime (aktgjykime) për lëshim të urdhrit për ndëshkim. Ndërsa seanca kryesore është caktuar për 19 raste, të cilët kanë ankimuar paditë”

Përderisa këto padi janë në procedurë gjyqësore, nga Qeveria thonë se deri më tani nuk kanë ndonjë iniciativë për falje të gjobave. Gjoba morën edhe disa funksionar shtetëror. Njëri prej tyre është edhe kryetari i Komunës së Kumanovës Maksim Dimitrievski. Ndërkaq, vetëm gjatë 24 orëve të fundit 51 persona nuk e respektuan orën policore. 34 prej tyre u arrestuan dhe pjesës tjetër iu dhënë vërejtje thonë nga Ministria e Brendshme. Sipas tyre, në 24 orët e fundit janë lëshuar 72 vendime për izolim, dhe 57 qytetarë kanë nënshkruar një deklaratë për izolim. Nga ata që tashmë janë në izolim ose vetë-izolim, mbrëmë u kapën dy persona që shkelën masat.

Adnan Qaili