Agjenda e Erdoganit në Shqipëri: Do të përurojë lagjen e re në Laç, xhaminë në Tiranë dhe mban fjalim në Kuvend

E hëna e 17 janarit do ta gjejë presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, në një vizitë të ngjeshur disa orëshe në vendin tonë.

Pas mbërritjes në Rinas në orën 09:00, bashkë me kryeministrin Edi Rama do t’i drejtohen Laçit për të parë lagjen e re të banesave ndërtuar falë mbështetjes të presidentit Erdogan dhe bujarisë të popullit turk.

Reklame

Janë 522 apartamente me vlerë 42 milion euro, kontribut i Turqisë pas tërmetit të dy viteve më parë. Në ora 14:00 në ambientet e kryeministrisë do të mbahet takimi Rama-Erdogan e më pas nënshkrimi i 7 marrëveshjeve e memorandumeve bashkëpunimi.

Pjesë e vizitës në Tiranë të presidentit Erdogan është edhe një ndalesë për të parë pas rikonstruksionit Xhamisë Ethem Beu. Ishte TIKA, angjencia turke për bashkëpunim ndërkombëtar financuese e rikonstruksionin përmes specialistëve restaurotorë, të ardhur nga Turqia.

Analistja Anisa Bahiti thotë se miqësia e Erdogan me Fatos Nanon i la vendit një marrëdhënie akoma më të fortë me Sali Berishën duke e avancuar me kryeministrin Edi Rama. Por ka edhe një problem:

“Marrëdhëniet Turqi-Shqipëri i shoh të ngecura për shkak të prezencës së Lëvizjes Gylen në Shqipëri. Dëshmi e qartë është mospërfundimi dhe mosdorëzimi i xhamisë së madhe të Tiranës, për shkak se Tirana zyrtare nën presionin amerikan dhe europian nuk arriti të vendoste në krye të Komunitetit Musliman të Shqipërisë, një jo anëtar të Lëvizjes Gylen, të cilën Turqia e konsideron terroriste. Gjithashtu Turqia ka konsideruar jo serioz qëndrimin e Shqipërisë në NATO përsa i përket lëvizjeve kurde në veri të Sirisë dhe Irakut si dhe pajisjen me shtetësi shqiptare të anëtarëve të lëvizjes të Gylenit”, shprehet analistja.

Anisa Bahiti tregon për Top-Channel ambicien e Erdogan për të influencuar ne zgjedhjen e kreut të ri të NATO-s:

“Në këtë vend kaq të rëndësishëm, Erdogan do të pëlqente të shihte Ramën, kryeministrin e Shqipërisë. Ky i fundit mund të ketë mbështetjen e Hungarisë se Orbanit, të Çekisë, të Polonisë, të vendeve të Ballkanit, të Italisë falë një lobingu të fuqishëm të mikut të tij D’ Alema ish-Kryeministër, por edhe të Presidentit të Francës, e madje edhe të SHBA falë marrëdhënieve të shkëlqyera qe ai ka me sistemin Soros dhe administratën aktuale në Uashington”.

Vizita e presidentit Erdogan do të mbyllet me një fjalë në parlamentin e Shqipërisë.