Aks.identet ju marrin jetën 5 personave në Pollog

163

Nga informacionet që siguroi Gazeta Koha, prej muajit janar e deri më 13 maj në rrugët e Pollogut jetën e kanë humbur pesë persona. Prej tyre, katër persona kanë humbur jetën në Tetovë dhe një në Gostivar

Urim HASIPI – Tetovë, 14 maj – Një 18 vjeçar nga Tetova ka ndërruar jetë si pasojë e një aksident fatal që ka ndodhur të dielën mbrëma në rrugët e Tetovës. Ai ka mbetur i vdekur në vendngjarje dhe nuk u kishte mbijetuar plagët ndërsa ishte maturant në një shkollë të mesme në Tetovë. Krahas viktimës, tre të tjerë kanë marrë lëndime trupor, kurse njëri prej tyre është në gjendje të rëndë shëndetësore. Aksidenti me pasoja vdekjeprurëse ka ndodhur në udhëkryqin e rrugëve “160” dhe 161” në Tetovë.

Sipas policisë, vetura e tipit “Audi” me targa të Tetovës e drejtuar nga 17 vjeçari nga Tetova është përplasur me veturën e tipit “Reno Megane” të cilën e ka drejtuar 19 vjeçari me iniciale B.SH nga Tetova ndërsa më pas ka goditur edhe trafon elektrike si dhe disa drunjë në parkun aty pranë. Nga ky aksident 18 vjeçari me inicialet SH.L i cili është gjendur si bashkëudhëtar në veturën e tipit “ Audi” nga lëndimet e rënda që ka marrë si pasojë e këtij aksidenti ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa bashkudhëtari tjetër nga e njëjta veturë i moshës 16 vjeçare ka marrë lëndime të rënda trupore dhe pas dhënies së ndihmës mjekësore në Spitalin Klinik të Tetovës si rast urgjent është transferuar në klinikat e Shkupit. Po punohet në përcaktimin e shkakut të këtij aksidenti dhe rrethanat në të cilat ka ndodhur, deklaroi Fatmir Rexhepi zëdhënës i Sektorit për punë të brendshme në Tetovë.

Nga Spitali Klinik i Tetovës gjegjësisht reparti i Kirurgjisë thonë se të dielën mbrëma rreth orës 23.00 në këtë repart janë pranuar tre të lënduar nga aksidenti në fjalë njëri prej të cilëve në gjendje më të rëndë i cili me urgjencë është transportuar në Klinikën Nënë Tereza në Shkup, ndërsa dy të lënduarit e tjerë janë ndaluar në spital për shërim të mëtutjeshëm.

Gjendja e tyre shëndetësore është stabile dhe janë jashtë rrezikut për jetën.“Mbrëmë rreth orës 23 në Spitalin tonë janë sjellë tre persona me lëndime, njëri pacient me lëndime të rënda dhe është transferuar në Spitalin Nënë Tereza në Shkup, kurse dy pacient me lëndime tjera më të lehta janë mbajtur për shërim në spitalin tonë dhe gjendja e tyre është stabile, nuk janë në rrezik për jetë. Në ndërkohë personi që humbi jetën në aksident, mjekët e ndihmës së shpejtë vdekjen e kanë konstatuar në vendngjarje”, deklaroi Florim Selimi, kirurg.

Nga Informacionet që siguroi Gazeta Koha, prej muajit janar e deri më 13 maj në rrugët e Pollogut jetën e kanë humbur pesë persona. Prej tyre, katër persona kanë humbur jetën në Tetovë dhe një në Gostivar. Prokurori publik dhe një ekip nga Sektori për punë të Brendshme Tetovë, kanë kryer inspektimet komplete në vendin e ngjarjes, dhe po punohet në zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti.

Nga Sektorit për punë të brendshme në Tetovë edhe njëherë apelojnë deri te më të rinjtë, por edhe personat e tjerë që të mos ulen përpara timonit pa leje adekuate për vozitje, të mos drejtojnë automjetet në gjendje të alkoolizuar, apelohet edhe deri te prindërit që të mos ua japin veturat fëmijëve të tyre nëse nuk kanë leje adekuate për vozitje sidomos tani kur janë edhe maturat e shkollave të mesme dhe është një periudhë ku më së shpeshti ndodhin aksidente, në të shumtën e rasteve edhe me pasoja fatale. (koha.mk)