Aksion ekologjik i Parlamentit Studentor të UEJL në Tetovë dhe Shkup

Parlamenti Studentor i Universitetit të Evropës Juglindore, sot (18 qershor 2021), nën moton “Ekologjia është ekonomi permanente”, realizoi një aksion ekologjik simbolik për pastrimin e qytetit të Tetovës dhe Shkupit.

Studentë dhe staf, në Tetovë, bënë pastrimin dhe grumbullimin e mbeturinave përgjatë bulevardit “Ilinden”, duke e vënë theksin në materialet e reciklueshme, të cilat nëse përdoren mund të sjellin të ardhura për komunitetin më të gjerë.

Studentë dhe staf, në aksionin e realizuar në Shkup, pastruan nga mbeturinat shtegun nga objekti i Universitetit deri të Ambasada e SHBA-ve.

Agron Demiri, kryetar i Parlamentit dhe Asociacionit Studentor, tha se qëllimi i këtij aksioni është të sensibilizojnë opinionin më të gjerë për kujdes të shtuar në mbrojtjen dhe ruajtën e mjedisit jetësor.

“Investimi në ekologji është investim në një të ardhme më të mirë për të gjithë ne, për një mjedis më të pastër dhe zhvillim të gjithmbarshëm”., tha Sekretari i Përgjithshëm i UEJL-së, Xhevair Memedi.

“Kjo ditë le të shërbejë si një dite vetëdijesimi, për të reflektuar dhe për të vepruar edhe konkretisht në mbrojtje të mjedisit”, tha dekani i Fakultetit të Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit, Prof. Dr. Demush Bajrami.

Universiteti i Evropës Juglindore, çdo vit nisë fushata sensibilizuese për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe është i pari në rajon, i cili që nga viti 2008, e ka miratuar Planin Aksional Klimaterik, në të cilin parashihen aktivitete konkrete mjedisore.