Ali Ahmeti shënon gol nga penaltia në Tearcë (VIDEO)

Ministra e anëtarë të BDl-së u mblodhën për të lëshuar në përdorim sallën e re të sportit në Dobrosht të Tearcës.

Në fillim të gjithë pranishmit hyrën në objektin e Shkollës fillore “Faik Konica”, por kur arriti ministrja e arsimit Milla Carovska, lartë u ngjitën vetëm ajo, Ahmeti dhe myftiu i Tetovës Qani Nesimi.

Reklame

Edhe pse shumica nuk ishin të ftuar, në këtë hapje solemne morën pjesë ministri i financave Fatmir Besimi, zv/ministri i drejtësisë Agim Nuhiu, ndërsa nuk mungoi analisti Nuri Bexheti.

Në prerjen e shiritit edhe pse në fillim kishin mosmarrëveshje, më pas u dakorduan që atë ta presin pesë persona.

Në fjalën përshëndetëse kryetari i komunës Isen Asani tha se pa përkrahjen e pushtetit vendor kjo sallë nuk do ishte e realitet.

“Sot bëjmë realitet një kërkesë të kamotshme të brezave të cilët kanë ëndërruar për kushte më të mira dhe jemi dëshmitarë të përurimit të sallës së sportit në shkollën fillore Faik Konica në fshatin Dobrosht. Kështu që pa përkrahjen e pushtetit vendor dhe pa insistim këmbëngulës të liderit të Bashkimit demokratik për integrim Ali Ahmetit, nuk do kishim arritur këtu ku jemi sot.”, tha Isen Asani kryetar i Tearcës.

Ministrja e arsimit Milla Carovska tha se salla të këtilla do të ndërtohen në të gjithë shtetin.

“Bëjmë përpjekje që katër viteve e ardhshme të investojmë edhe në komuna rurale dhe urbane se vetëm kështu mund të shfrytëzojmë të gjithë potencialin njerëzor që e kemi.”, tha Mila Carovska, ministre e Arsimit dhe Shkencës.

Kryetari i integristëve foli për rëndësinë e festes së Shtatë marsit.

“Një komb i cili nuk e shkruan gjuhën që flet ajo gjuhë është destinuar të zhduket, prandaj ne kemi investuar dhe do të investojmë në përparimin dhe ngritjen e arsimit , sepse ai që investon në edukim dhe arsim investon për ardhmëri.”, deklaroi Ali Ahmeti.

Si zakonisht edhe në këtë solemnitet erdhi radha e penalltive.
Gjuajtja e parë e Ahmetit përfundoi në rrjet,.. por më pas kreu integrist kërkonte për portier ta ketë Artan Grubin, të cilin nuk arriti ta mposhtë.
Ajo çka ra në sy te kjo sallë e re ishin edhe këto mini-radiatorë në zhveshtore.

Ndryshe kjo sallë ka kushtuar rreth 450 mijë euro dhe ka një sipërfaqe rreth 854 metër katrorë.