Alternativa nuk komenton ofertën e ASH së

Advertisment

Deri sa detajet e ofertës së Aleancës për Shqiptarët për koalicion trepalësh me dy partitë shqiptare Lëvizjen Besa dhe Alternativa, mbeten të pazbardhura për mediat, duket se ata janë po ashtu enigmë për vetë partitë. Për Lëvizjen Besa, komunikimi nëpërmjet mediave me ASH-në është i pakuptueshëm kur nuk kanë marrë asnjë ofertë në letër. Për më tepër, ata nuk e kuptojnë as afatin prej 48 orësh për një vendim të cilin thonë se e kanë sjellë më shumë se një muaj më parë.

Të gjitha ofertat dhe modalitetet bisedohen në tavolinë dhe jo përmes publikut dhe mediave. Ne tregojmë gatishmërinë tonë që të ulemi të tre partitë dhe t’i diskutojmë të gjitha. Tani është e pakuptueshme se pse ne akoma nuk kemi një përgjigje konkrete se pse nuk ndodh takimi, ndërsa në anën tjetër ka një ofertë publike që askush nuk e kupton dhe nuk e dimë se ultimatumi prej 48 orëve kujt i drejtohet se, në këtë rast, Lëvizja Besa ka në parim dakordësinë për një koalicion trepalësh”-tha Aranit Hoxha, Lëvizja Besa.

Reklame

Partia e Bilall Kasamit është e gatshme të bisedojë për përpilimin e përbashkët të listave të kandidatëve për deputetë sipas dy opsioneve, ndarjes proporcionale mes tre partive si dhe ndarjes në bazë rezultatit të anketave për rejtingun e tyre. Alsat tentoi të sigurojë qëndrim edhe nga Alternativa. Si partia ashtu edhe kreu i saj Afrim Gashi vendosën të qëndrojnë të heshtur dhe të mos komentojnë. Kjo parti është shprehur kategorikisht kundër një koalicioni ku do të jetë edhe Lëvizja Besa.

Kreu i ASH-së Ziadin Sela një ditë më parë, pas mbledhjes së organeve të partisë njoftoi se dy partive do t’u bëjë një ofertë të fundit për detajet e bashkëpunimit eventual dhe do t’u japë 48 orë për të marrë një vendim. Detajet e ofertës tha se nuk do t’i bëjë publike./Alsat