Analizë e plotë për kufirin detar Shqipëri-Greqi

Advertisment

.Hyrje; 2. Rrethanat e mospajtimit; 3. Thelbi i mospajtimit apo i mosmarrëveshjes; 4. Gjerësia e Detit Territorial shqiptar e kundruar nga Veriu; 5. Përplasja e pashmangshme midis parimit të barazlargësisë dhe “rrethanave të veçanta”; 6. Demarkim apo Delimitim? 7. Marrëveshja Detare përpara Tribunalit ITLOS të Hamburgut.

1. Hyrje

Reklame

Rreth 70 vjet më parë, me 22 tetor 1948, në ujërat e kaltërta të Kanalit të Korfuzit ndodhi një ngjarje e rëndë, e cila u zgjidh në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Çështjen tashmë të famshme të Kanalit të Korfuzit.[2] Sot duket se ujërat e kaltërta të Jonit Verior do të mund të vijnë sërish në vëmendje ndërkombëtare, kësaj rradhe për të përcaktuar vijën kufitare që ndan hapësirat ujore midis Shqipërisë dhe Greqisë.

Me të vërtetë, nga zhvillimet më të fundit për delimitimin në Detin Jon po bëhet gjithnjë e më e qartë se rruga e vetme për përcaktimin e drejtë, objektiv dhe të paanshëm të kufirit detar midis Shqipërisë dhe Greqisë do të jetë një forum gjyqësor ndërkombëtar.

2. Rrethanat e mospajtimit

Në një trajtesë të parë për Jonin, si det të paqes, ngritëm disa probleme të delimitimit të hapësirave detare midis Shqipërisë dhe Greqisë si më poshtë:

Negociatat duan kohën e tyre – ngutja nuk ndihmon askend;

Traktati i Konstantinopojës i vitit 1800, që përmend në mënyrë eksplicite “kufinj detarë të lashtë”, nuk mund të anashkalohet në kontekstin e Korfuzit dhe të Ishujve të Diapontit;

Diskordanca, apo mospërputhja midis gjerësive të Detit Territorial përkatës të dy vendeve është çështja më delikate në tavolinën e bisedimeve. Shqipëria zbaton brezin prej 12 miljesh detare (md), kurse Greqia zbaton brezin prej 6 md;

Efekti “ndërprerës” [cut-off effect] i ishullit të Korfuzit etj., ndaj projeksionit detar të bregdetit shqiptar;

Mbështetur në parimin themelor dhe të patundur se “dheu kontinental sundon detin”, prirja e përgithshme në të drejtën ndërkombëtare detare sot është se “dheu kontinental merr përparësi ndaj dheut ishullor sa u takon projeksioneve të hapësirave përkatëse detare”. Sikurse shpjeguam, kjo prirje mbështet të drejta (entitlements) të Shqipërisë lidhur me hapësirën e Zonës Ekonomike Ekskluzive [ZEE] në shpinë të Korfuzit, por është relevante edhe në trajtimin e hapësirës së detit territorial dhe shelfit kontinental midis bregdetit shqiptar dhe ishujve të Diapontit, në pikëpamje të zbatimit të “rrethanave të posaçme” apo të “equity” [ekitésë], si dhe të efektit që këta ishuj mund të marrin (efekt i plotë, i pjesshëm, apo zero) vis-a-vis dheut kontinental shqiptar.

Së fundi, i gjithë kuadri juridik i demarkim/delimitimit në Jonin Verior komplikohet me pa të drejtë nga ekzistenca e Ligjit të Gjendjes së Luftës midis Greqisë dhe Shqipërisë. Duke pranuar, pa ngurrim, karakterin absurd të këtij Ligji, pyetja kokëfortë mbetet nëse vërtetë mund të ndërmerren negociata të barabarta, të ndershme dhe në mirëbesim midis dy vendeve kur mbi tryezën e bisedimeve endet spektri i luftës midis tyre?

Deklarime të fundit nga pala greke, si dhe njoftime të shtypit lidhur me zgjerimin e brezit të Detit Territorial në12 md, risjellin në vëmendje mospërputhjen midis detrave territorialë të të dy vendeve, dhe pra, lypin një tajtim dhe analizë më të zgjeruar të këtij dallimi sa të pazakontë, aq edhe të koklavitur.[3]

Qëllimi, gjithsesi, mbetet i njëjtë: Deti Jon të mbetet det i paqes, dhe që kjo të njëmendësohet, huazojmë sërish metaforën e poetit të famshëm amerikan Robert Frost: Gardhi i mirë, fqinji i mirë – [Good fences make good neighbors].

3. Thelbi i mospajtimit apo mosmarrëveshjes

Në thelb, pyetja që shtrohet është:

Si duhet të jetë vija delimituese midis Shqipërisë dhe Greqisë në rrethanat e posaçme, të koklavitura e të pashembullta të Detit Jon, dhe duke mbajtur parasysh praktikën e konsoliduar shtetërore e të njohur ndërkombëtarisht të Detit Territorial me brez prej 12 md sa i takon Shqipërisë, dhe 6 md, sa i takon Greqisë?

Ritheksojmë se kjo vijë e kufirit të Detit Territorial, ku Shqipëria dhe Greqia ushtrojnë sovranitet të plotë, do të përbente edhe kufirin shtetëror Shqipëri – Greqi në pjesën veriore të Detit Jon.

Për ta ndihmuar analizën tonë, le të mbajmë parasysh edhe këto dy fakte të njohura lidhur me marrëveshjen e anulluar të delimitimit.

Së pari, siç dihet, delimitimi aty ishte ravijëzuar në kahjen Jugë-Veri, dhe niste nga Gjiri i Ftelias në Jugë dhe përfundonte në Veri, afër pikës tripalëshe Itali-Shqipëri-Greqi, të baraslarguar nga pika më e afërt e tri brigjeve përkatëse.

Së dyti, metodologjia bazë e përdorur në marrëveshjen e anulluar ishte barazlargësia e rreptë (strict equidistance), e rrëzuar me të drejtë nga Gjykata Kushtetuese. [4]

Sikurse do ta shohim më poshtë, në qoftë se delimitimi – për lehtësi të arsyetimit -do të kryhej në kahjen e kundërt, d.m.th. Veri – Jugë, dhe nëse metodologjia e zbatuar do të mbante parasysh praktikën e konsoliduar shtetërore përkatëse, atëhere vija delimituese rezultante do të ishte krejt ndryshe nga ajo që mendohet se po negociohet sot. Krahasuar me rezultatet e delimitimit të tanishëm, të përcjella nga mediat, ushtrimi delimitues në kahjen Veri-Jugë do të nxirrte në pah se Shqipëria humbet hapësirë të konsiderueshme të Detit të vet Territorial.

4. Gjerësia e Detit Territorial shqiptar e kundruar nga Veriu

Pra, si do të ishte kufiri detar Shqipëri-Greqi i vijëzuar në kahjen Veri-Jugë, përndryshe i kundruar në dalje nga ngushtica e Otrantos, dhe jo nê nisje nga Gjiri i Ftelias?

Ilustrimi 1: Pamje satelitore në kahjen veri-jugë të Kanalit të Otrantos dhe Detit Jon. Burimi, www.google.earth, tetor 2018.

Dihet se, gjatë gjithë hapësirës detare në Adriatik nga një pikë (ende) e papërcaktuar midis grykëderdhjes së Bunës dhe Gjirit të Drinit, e deri në pikën trepalëshe, ose treshtaz të barazlarguar (nga Italia, Greqia dhe Shqipëria), në Jugë të Kanalit të Otrantos, Deti Territorial shqiptar përbëhet nga rripi ujor, apo brezi i konsoliduar e i patrazuar detar me gjerësi 12 md nga vijat bazë, të përcaktuar me Dekretin 4650, prill 1970, sipas së drejtës së brendshme shqiptare.

E thënë ndryshe, Deti Territorial shqiptar del nga Ngushtica e Otrantos për në Detin Jon si brez ujor integral, i patrazuar e i konsoliduar, me gjerësinë prej 12 md, duke lënë pas, në të djathtë, Kepin Palasciá ose Kepin e Otrantos në Gadishullin Apenin dhe, në të majtë, Kepin e Gjuhëzës dhe Bregun e Dhërmiut më në jugë.

Ndërkohë që kjo vijë kufitare detare vijon “lundrimin” drejt Jugut gjithnjë duke ruajtur distancën prej 12 miljesh nga vija e zbaticës prej bregdeti shqiptar, para saj shfaqen këto faktorë gjeografikë, që fillojnë të ushtrojnë ndikim:

(i) pika trepalëshe (tri-junction point), si pikë e barazlarguar nga pikat bazë më të afërta të bregut kontinental italian, kontinental shqiptar dhe atij ishullor grek. Kjo pikë është 7 md larg në verilindje nga pika 1 e Marrrëveshjes së Delimitimit të Shelfit Kontintental Itali – Greqi, [me koordinata 39°57′.7 gjerësi veriore, dhe 18°57′.5 gjatësi lindore];

(ii) kepi verior i Akra Bokas në ishullit grek të Othonoit dhe kepi verior i Akra Skoetinit në ishullin e Erikusës;

(iii) Kepi i Santa Maria di Leuccas në Gadishullin Apenin, më në Jugperëndim;

(iii) Hyrja apo kalimi verior në Kanalin e Korfuzit.

Ilustrimi 2: Hartë e Marrëveshjes së Delimitimit të Shelfit Kontinental Greqi-Itali. Burimi, Limits in the Sea, Nr. 96, Continental Shelf Boundary, Greece-Italy. U.S. Department of State, Bureau of Intelligene and Research, June 6, 1982.

Po ashtu, brezi i Detit Territorial shqiptar prej 12 md përballet edhe me këta faktorë juridike në të drejtën ndërkombëtare të detit:

(i) Deti Territorial grek, me gjerësi prej 6 md;

(ii) Deti Territorial italian, me gjerësi 12 md, sikundër Shqipëria, në Jugperëndim;

(iii) “Mesi i Kanalit”, si vijë ndarëse që fillon aty ku Kanali i Korfuzit fillon e ngushtohet nën distancën 6 md x 2 = 12 md;

(iv) vijat bazë të brigjeve të kundërta përkatëse, deri në gjerësinë gjeografike që sjell në vëmendje Gjirin e Ftelias;

(v) Neni 15 i Konventës UNCLOS, dhe parim i barazlargësisë dhe i “equity”;

(vi) Praktika e konsoliduar shtetërore e gjerësive përkatëse të Detit Territorial.

Por ç’do do të ndodhë më tej në hapësirën ujore të ngjashme me figurën gjeometrike katërkëndore të trapezit të përmbysur, me bazë 24 md në Veri dhe 12 md në jugë, dhe me brinjë përkatësisht Bregun shqiptar dhe vijat bazë në Ishullin e Korfuzit dhe Ishujt e Diapontit?

Vija kufitare detare e Shqipërisë [brezi 12 md] normalisht do të vijojë e patrazuar deri sa të puqet me vijën kufitare aktuale greke [brezi 6 md]. Në atë pikë distanca midis dy brigjeve të kundërta do të jetë 18 md [6md + 12 md]. Deri në këtë pikë, pra, Shqipëria ruan gjerësinë e Detit të vet Territorial prej 12 md, dhe Greqia ruan gjerësinë e Detit të vet Territorial prej 6 md. Mosndikimin e parimit të barazlargësisë do ta trajtojmë më poshtë.

Si rrjedhojë e ngushtimit të hapësirës ujore të detyruar nga Kanali i Korfuzit, Greqia ruan gjerësinë e Detit të vet Territorial prej 6 md deri sa distanca midis dy brigjeve arrin në masën e 12 md [6 md + 6 md]. Shqipëria detyrohet të rrudhë gradualisht gjerësinë e brezit të vet të Detit Territorial nga 12 md në 6 md deri në pikën ku, sikurse përmendëm, distanca midis pikave bazë nga dy brigjet e kundërta është 12 md.

Qysh nga kjo pikë e deri në pikën fundore të delimitimit përballë Gjirit të Ftelias, gjithnjë në kahjen V-J, hyn në veprim parimi i barazlargësisë, me përshtatjet përkatëse sipas “rrethanave të posaçme” të Nenit 15 të UNCLOS.

Besojmë se ky duhet të jetë qëndrimi i Shqipërisë sa i takon Detit Territorial.

Ilustrimi 3: Pamje satelitore e hapësirëse tërësore detare në Detin Jon verior. Burimi, www.google.earth, tetor 2018.