Anketë: Bajden e rriti udhëheqjen kundër Trump deri në 13%

Advertisment

Ish-nënpresidenti Xho Bajden kryeson me 13 pikë përqindëshe përpara presidentit aktual Donald Tramp në anketën e fundit të agjencisë Rojters dhe konsulentët nga “Ipsos”.

Sipas anketës, 48 për qind e të anketuarve deklaruan se do të votojnë për Bajden, kandidat i mundshëm i Partisë Demokratike në zgjedhjet e caktuara për në nëntor, ndërsa 35 për qind thanë se do të votojnë për Trampin.

Reklame

Presidenti SHBA-së ka filluar ta humbasë mbështetjen gjatë muajve të fundit, duke u përballur me një valë kritikash lidhur me administrimin e tij për krizën e shkaktuar nga koronavirus dhe si përgjigje ndaj valës së protestave për shkak të vrasjeve së afroamerikanëve nga ana e policisë pas vdekjes së Xhorxh Flojdit.

Pesëdhjetë e tre për qind e të anketuarve deklaruan se ata nuk e aprovojnë se si qeveria është ballafaquar me pandeminë, nga e cila deri më tani kanë vdekur më shumë se 115,000 amerikanë. Vetëm 40 për qind e mbështesin mënyrën se si qeveria ballafaqohet me pandeminë.

Nga ana tjetër, sipas anketës, dy të tretat e të anketuarve i mbështesin protestat kundër brutalitetit të policisë që po zhvillohen tashmë tre javë në SHBA.

Tramp, nga ana tjetër, është kritik ndaj demonstratave, të cilat ndonjëherë janë të dhunshme me vandalizëm dhe shkatërrim të pronës private dhe shtetërore. Ai ka kërcënuar vazhdimisht se do ta përdorë forcën ushtarake për t’i shpërndarë protestat.

Me një vlerësim prej vetëm 38 për qind, popullariteti i presidentit është më i ulëti pas matjes së opinionit publik në nëntor, gjatë procesit të impiçmentit që atëherë ishte i hapur në Kongres.

Fijen e kashtës për shpëtim Tramp mund ta kërkojë në ekonomi. Sipas anketës, ku 43 për qind e të anketuarve e miratuan politikën e tij ekonomike dhe besojnë se ai do të jetë më i suksesshëm në këtë fushë sesa kundërshtari i tij, Bajden, të cilin e aprovojnë 38 për qind e të anketuarve.

Anketa u realizua nga 10 deri në 16 qershori me 4,426 anketues të regjistruar dhe një diferencë gabimi prej 2 për qind./MIA