Anketë: Gjysma e qytetarëve do të vaksinoheshin, 16 për qind kanë hamendje

Instituti për Demokraci përmes Programit për mbështetje parlamentare zbatoi anketë, sipas së cilës gjysma e qytetarëve të anketuar kanë deklaruar se do të vaksinoheshin, ndërsa 16 për qind ende kanë hamendje.

Shumica e qytetarëve, sipas anketës, e preferojnë vaksinën e “Fajzer”. Nga ana tjetër qytetarët konsiderojnë se Qeveria nuk bën mjaftueshëm që ta adresojë situatën me krizën aktuale.

Në pyetjen “A do të vaksinoheshit”, 50 për qind janë përgjigjur me “po”, 34 për qind me “jo”, ndërsa “nuk e di” janë përgjigjur 16 për qind e të anketuarve.

Tridhjetë e nëntë për qind janë përgjigjur se do të vaksinoheshin me “Fajzer”, me “Sputnik” 21 për qind, me atë kineze “Sinofarm” gjashtë për qind, me “Moderna” pesë për qind, përderisa me “AstraZeneka” tre për qind e qytetarëve.

“Nuk e di” me cilën vaksinë janë përgjigjur 27 për qind e qytetarëve të anketuar.

Në pyetjen “A po bën Qeveria mjaftueshëm që ta adresojë situatën me shëndetësinë, ekonominë dhe arsimin”, me “po” janë përgjigjur 39 për qind, “jo” kanë thënë 53 për qind, ndërsa “nuk e di” tetë për qind.

Në kumtesën e sotme të Institutit për Demokraci nuk është theksuar se te sa të anketuar është kryer hulumtimi i mendimit publik. Shtojnë se raporti nga analiza e mendimit publik për vitin e kaluar do të jetë i kapshëm për publikun javën e ardhshme.

Instituti për Demokraci përmes Programit për mbështetje parlamentare në vit e informon Kuvendin për perceptimet e qytetarëve për punën e tij dhe politikat e përgjithsme në shtet.

“Në atë drejtim edhe këtë vit e informojmë Kuvendin, kreatorët e politikave dhe publikun se çka mendojnë qytetarët për krizën shëndetësore dhe vaksinimin kundër koronavirusit. Infografikët janë përgatitur në kuadër të programit për mbështetje parlamentare të Ambasadës zvicerane në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të zbatuar nga NDI, IDSCS, Qendra për Menaxhim me Ndryshime – QMN”, theksojnë nga Instituti për Demokraci.