Anulohen dasmat, kërkohet kthimi i avansit, Arshik Miftari: Kemi pasur data të rezervuara gjatë muajit mars dhe prill (VIDEO)

Advertisment

Ka më shumë se dy muaj që restorantet janë mbyllur dhe dasmat s’janë mbajtur.

Humbjet janë të mëdha, sepse për dy muaj vetëm një restorant ka anuluar 40 dasma me numër mesatar të të ftuarve prej 300 personave. Bëhet fjalë për periudhë kohore prej muajit shkurt e deri në prill.

Reklame

Përveç humbjes së fitimit, restorantet tash duhet të mendojnë edhe për kthimin e avansit, bëri të ditur një pronar i restorantit në Shkup. Ai thotë, nëse duhet “do të shesim edhe banesën, e kaparin nuk e lemë pa e kthyer”.

Pronar i restorantit:
“Unë si restorant gjatë kësaj periudhe i kam pas 40 dasma, vetëm dy dasma i kam mbajtur. Na kanë ndalë, na kanë thënë mos t’i mbajmë dhe mos i çelni. Jemi dëmtuar, kemi punëtori, kemi qiraja të mëdha dhe kjo është, jemi të dëmtuar dhe askush nuk na pyet a jemi të dëmtuar apo jo. Tash presim të marrim ndonjë kredi dhe ta kthejmë kaparin sepse vijnë njerëzit dhe e lypin, por nëse duhet do t’i shesim edhe banesat dhe shtëpitë, e kaparin do ta kthejmë”.

Në një gjendje më të lehtë duket se janë këngëtarët. Arshik Miftari grupi i të cilit ishte më aktivi në trojet shqiptare thotë se rezervimet i kanë anuluar dasmorët, por i kanë shtyrë për afat të pacaktuar dhe prandaj nuk janë të detyruar të japin kaparin.

Arshik Miftari, këngëtar:
“Kemi pasur data të rezervuara gjatë muajit mars dhe prill, të cilat të gjitha janë anuluar shkaku i situatës. Por, shumica e tyre, pjesa dërmuese i kanë caktuar për datë tjetër, do të thotë data të mëtutjeshme si në shtator dhe tetor. Ka disa që i kanë lënë edhe për vitin e ardhshëm”.

Dilema ka për atë se kur do të rikthehen dasmat, sepse dasma të rezervuar ka qysh në ditën e tretë të Bajramit, dhe të njëjtat ende presin lajm se a do të mbahen apo jo. Restoranti që e kontaktuam ne, që ka më shume lokale dasmash për ditën e tretë të Bajramit ka 10 dasma të pa anuluara.

Pronari i restorantit:
“A i lëshojnë restorantet, apo si lëshojnë unë ditën e tretë të Bajramit i kam sërish 10 dasma të rezervuara. Askush nuk na jep lajm a do të lëshohen apo nuk do të lëshohen”

Arshik Miftari këngëtar:
“Pas këtij muaji kemi mjaft rezervime të cilat nuk janë anuluar, do të thotë nuk është anuluar asnjë dasmë gjatë muajit qershor, korrik dhe gusht”

Autoritetet në vend tash për tash nuk e shohin si opsion rikthimin e këtij sektori, ndërkaq shqyrtohet opsioni që dasmat të mbahen gjatë verës, por me një protokoll të veçantë. Të ketë numër të kufizuar të mysafirëve dhe të mbahet distanca.

Nga ana tjetër, sektori i dasmave konsiderohet të jetë si njëri nga sektorët më profitabil në vend. Hovin e ka gjatë sezonit të verës, për shkak të kthimit të mërgimtarëve nga diaspora. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, gjatë vitit 2018 janë regjistruar mbi 13.494 martesa, ku numri më i madh i tyre apo 1.665 janë realizuar në gusht, kurse më së paku gjatë kësaj periudhe muajin mars, me gjithsej 738 martesa.