Anulohet falja e namazit të Xhumasë në Shqipëri

Advertisment

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë nëpërmjet një postimi në Facebook ka bërë me dije se falja e namazit të Xhumasë do të anullohet për shkak të situatës në vend.

Në lidhje me këtë gjë ka reaguar kryeministri Edi Rama ku ka falenderuar KMSH-në.

Reklame

Statusi i KMSH-së:

NJOFTIM

Të nderuar besimtarë dhe besimtare!

Të gjithë jemi të vetëdijshëm për seriozitetin dhe përmasat mbarëbotërore që ka marrë epidemia e virusit COVID-19.

Feja Islame i jep rëndësi të madhe shenjtërisë së jetës së njeriut dhe mbrojtjes së saj. Në rastet e shpërthimit të epidemive, Profeti Muhamed (a.s.) na urdhëron që: “Nëse dëgjoni se diku ka rënë epidemi, mos shkoni në atë vend! Nëse godet në një vend dhe ju ndodheni aty, mos u largoni që andej për t’i shpëtuar!”. Pra, karantinimi dhe evitimi i të gjitha lëvizjeve të panevojshme është masa paraprake që duhet të merret në të tilla raste.

Feja Islame gjithashtu i jep një rëndësi të madhe higjienës personale dhe të ambientit ku jetojmë e punojmë, duke e konsideruar higjienën dhe pastërtinë si pjesë të besimit. Kjo është gjithashtu edhe si një nga masat e sugjeruara nga ekspertët për parandalimin e përhapjes së kësaj epidemie.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë duke vlerësuar situatën e paprecedentë të krijuar nga kjo epidemi, ka marrë disa masa të nevojshme për të mbrojtur qytetarët nga një infektim i mundshëm nga COVID-19.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë kërkon nga myftinitë e qyteteve marrjen e masave të mëposhtme:

1- Ngarkohen të gjithë myftinjtë dhe stafi i tyre të ndërmarrë fushata sensibilizuese për publikun dhe të inkurajojnë të gjithë besimtarët, kryesisht moshën e tretë dhe personat me sëmundje kronike që t’i kryejnë ritualet fetare në banesat e tyre.

2- Anullimi i tubimeve masive si ligjërata, kurse në xhami, aktivitete të ndryshme dhe sipas rrezikshmërisë në zonën tuaj të anullohet edhe falja e namazit të xhumasë.

3- Pesë kohët e namazit sugjerohet të falen në mënyrë jo të organizuar, ndërkohë ezani të thirret në mënyrë të rregullt në të gjitha xhamitë.

4- Zbatimi me rigorozitet i të gjitha sugjerimeve dhe këshillave të nxjerra nga autoritetet përkatëse në vendin tonë si dhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Kërkojmë mirëkuptimin e besimtarëve në respektimin e masave të marra, pasi mbrojtja e jetës dhe shëndetit është një obligim fetar për të gjithë besimtarët.

Pasi të marrim të gjitha masat e nevojshme, t’i lutemi Zotit me lutjen e Profetit Muhamed (a.s.): “O Zot më ruaj nga lebroza, nga çmenduria, nga murtaja, nga epidemia dhe nga të gjitha sëmundjet e këqija.”

Lusim Zotin e Gjithmëshirshëm që kjo situatë të kalojë pa pasoja për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë

Statusi i Ramës:

“KUR BIE EPIDEMIA AS MOS SHKO ATY KU KA RËNË AS MOS LËVIZ NËSE BIE ATY KU JE”, porosit Profeti Muhamet, paqja e Zotit qoftë mbi të🙏

🔴 RESPEKT, RESPEKT, RESPEKT për KOMUNITETIN MUSLIMAN QË VENDOSI ANULLIMIN E FALJES SË NAMAZIT DHE TË ÇDO TUBIMI NËPËR XHAMI🙏

KY ËSHTË JO VETËM VENDIMI I DUHUR NË KOHËN E DUHUR, POR EDHE MESAZHI MË KUPTIMPLOTË QË KOMUNITETI MUSLIMAN MUND T’i JEPTE MBARË POPULLIT SHQIPTAR🙏

FALEMINDERIT🙏