#

Të dashur maturantë,
Sot është dita e juaj e fundit si nxënës në shkollat e mesme.

Më lejoni të gjithë juve t’ju përgëzoj për sukseset e arritura, njohuritë dhe kompetencat e fituara, që besoj se do t’ju shërbejnë më tej si bazë e mirë për vazhdimin e edukimit personal në një nivel më lartë ose për inkuadrim të shpejtë dhe të suksesshëm në procesin e punës duke gjetur angazhim adekuat pune.

Ju jeni gjenerata që vitin e fundit shkollor e përfunduat në mënyrë jostandarde për shkak të paraqitjes së pandemisë së shkaktuar nga virusi COVID – 19 që, në fakt, shkaktoi ngecje dhe ndryshime në zhvillimin e shumë proceseve shoqërore jo vetëm tek ne, por edhe në shumë vende të botës.

Ju, jashtë bankave shkollore, përmes mësimit në distancë, për më shumë se dy muaj e përvetësuat materialin e paraparë në plan-programet mësimore.
Ky akt ishte një sfidë për të gjithë ju, por edhe për ne, institucionet e sistemit që jemi të obliguar të organizojmë zhvillimin e papenguar të procesit edukativo-arsimor, madje edhe në kushte të gjendjes së jashtëzakonshme, në të cilën është kufizuar lëvizja dhe sugjerohet distancimi fizik i njerëzve.

Në fund, gjithçka po përfundon mirë.
Ne vendosëm që këtë vit t’ju lirojmë nga ky stres plotësues – dhënien e provimit të fundit, respektivisht maturën shtetërore, maturën shkollore dhe provimin përfundimtar, por gjithsecili në diplomë, që do të jetë e rëndësishme sikurse diplomat e viteve të kaluara, do të marrë atë që e ka merituar dhe aq sa ka bërë përpjekje gjatë viteve të kaluara në shkollën e mesme.

Padyshim që kjo përvojë do të mbahet mend përgjithmonë. Do ta kujtoni këtë vit shkollor për kushtet atipike në të cilat nuk u edukuat për një periudhë të caktuar kohore. Dhe, besoj se kjo nuk ju bën një gjeneratë më pak të vlefshme se të tjerët, por përkundrazi – një gjeneratë me vlerë dhe përvojë edhe më të madhe se ato të mëparshmet.

Sidoqoftë, uroj që të mos ndodheni më në situata të këtilla. Por, nëse kjo ndodh, do të dini se çfarë duhet të bëni dhe si t’i tejkaloni më lehtë këto situata.

Ju dëshiroj shumë fat në jetë!
Edhe më shumë suksese dhe rezultate pozitive!

Mos harroni – arsimi nuk është veprim, por proces i përjetshëm. Pra, mos e kurseni veten, investoni në njohuritë personale!