Arbër Xhaferi – Mendja që na mungon

Nga Afrim Kasolli

Me 15 gusht, bëhen 10 vite që kur shpirti fisnik i Arbën Xhaferit, kaloi në amshim. Kjo humbje e “zërit të qartë të arsyes në mes kaosit”, siç kishte pohuar shkrimtari i madh Ismail Kadare, “kishte ndodhur në një kohë kur ai ishte më i nevojshëm se kurrë më parë.

Arbëri ishte i tillë i domosdoshëm, pikërisht tani. Ndaj si rrallëkush do t’u mungojë të gjithëve”. Dhe ngjarje të tilla të përmortshme jo pak herë e kanë tronditur popullin shqiptar.Ky politikan, që kishte një distancë kritike ndaj politikës, ishte një lider atipik për skenën politike shqiptare.

Kjo drojë, neveri, apo aversion, nga kjo veprimtari aktive, mbase siç e thoshte edhe vetë, na vinte nga “fakti se të merreshe me politikë kur Jugosllavia ende funksiononte, ishte punë e dyshimtë, etiketë njëllosese. Mirëpo, me fillimin e shkatërrimi të atij sistemi, të gjithë ata që druanin nga angazhimi politik sikur u çliruan nga mallkimi dhe përnjëherë të joshur nga shansi historik për ta zhbërë atë që e urrenin, filluan ta pushtojnë hapësirën publike”.

Kjo ngjarje, si zakonisht kur ndodhin kthesa të tilla, solli me vete dy procese paralele, ku në njërën anë, “u krijua një klasë re politike, jashtë fokusit të opinionit, njerëz me ofertë intelektuale, politike, morale, por në anën tjetër edhe matrapazë narcisoidë që e shihnin politikën si mjet të afirmimit egocentrik” .Arbër Xhaferi ishte një nga të rrallët politikan në këtë hapësirë, që sa më shumë i dobësohej pushteti real politik dhe organizativ, aq më shumë i shtohej pushteti i mendjes. Sepse, zakonisht shumica e politikanëve pasi e humbin pushtetin politik, thuajse pushtohen nga pluhuri i harresës, as që merret kush me ta, kurse e kundërta kishte ndodhur me Arbrin.

Përkundrazi, edhe pas humbjes së pushtetit, mendimet e tij po bëheshin edhe me relevante për jetën tonë publike. Dëshmi kjo që tregon se ai nuk e posedonte pushtetin mbi forcën e klientelzimit dhe patronazhit, por mbi forcën e ideve. Pra, po t’i referohemi dallimit që e ka bërë psikoanalisti i njohur Erich Fromm në librin e tij “Të kesh apo të jesh”, për fenomenin e pushtetit, kur pohon, se ekzistojnë dy modele të ushtrimit të tij; ata që kanë pushtet dhe ata që të pushtetshëm, për shkak të mendimit dhe ideve që i prezantojnë. Dhe padyshim se Arbëri i takonte modelit të dytë.Qyteti dhe pavdekësiaHistorikisht relacionin ndërmjet jetës dhe vdekjes “romakët si populli më politik i mundshëm që kemi njohur” e kanë përshkruar duke i përdorur dy shprehje emblematike.

Në këtë kontekst fjala “të ‘jetosh’ dhe të ‘jesh në mes njerëzve’ (inter homines esse) sipas përfytyrimeve të kësaj bote kishte karakter politik, kurse shprehja ‘të vdesësh’ apo të ‘pushosh të jesh mes njerëzve’ (inter hommines esse desinere)”, ta largohesh nga bota e të gjallëve dhe pluralitetit njerëzor. Është pikërisht kjo botë, që sipas Hanna Arendit përbën një kusht të domosdoshëm për shfaqjen e aksionit politik.Kurse për grekët marrëdhënia në mes“ të drejtës absolute që ushtron natyra mbi njerëzit”, siç e quante ndryshe Hegeli vdekjen dhe jetës politike, po ashtu formonte një dyzim të çuditshëm. Ky popull me anë të polisit (qytet-shtet), tentonte ta sfidonte fatalitetin e “hiçit të qenies” që lidhet me vdekjen dhe të mos mbulohej përjetësisht nga errësira që e shkakton “pluhuri i harresës”.

Kjo edhe ishte arsyeja që qytetarët e tij e projektuan një hapësirë të përbashkët publike. Dhe e imagjinuan si medium ku do të demonstrohej prezenca e tyre jo vetëm si specie, por edhe si individë para tjerëve.Pra krahas funksioneve tjera që plotësonte ky formacion unik në historinë e njerëzimit, në themel të tij qëndronte edhe shtysa për t’ua siguruar pavdekësinë nënshtetaseve të tij. Me anë të “etikës së aparencës” dëshmohej se fjalët, veprat dhe bëmat e atyre që participonin në këtë hapësirë, përkundër karakterit kalimtar të tyre, nuk do kalonin pa u vërejtur, dëgjuar, shikuar dhe kujtuar.Si shembull tipik të“shëlbimit” që ofronte qyteti-shtet antik, Hanna Arendti e konsideron fjalimin funebër të Perikliut, kur shtetari i njohur athinas, deklaron se tash e tutje të gjithë ata që me guximin dhe vullnetin e tyre e kanë dëshmuar veten në funksion të këtij qyteti do të ishin pjesë e përhershme e memories së tij, duke e shndërruar vetën në burim të inspirimit dhe admirimit për brezat e ardhëm.

Në këtë mënyrë nuk ishin më vetëm poetet, rapsodët dhe historianët që me vargjet e tyre ua siguronin veprimeve njerëzore qëndrueshmërinë duke i shndërruar ato në fjalë, por lavdia e tyre do të përjetësohej edhe nga kujtesa kolektive e qytetit. Në këtë horizont mbëltohej edhe kuptimi i ekzistencës njerëzore. S’kishte mallkim më të madh se sa të ishe i privuar nga kjo mundësi.Madje s’është rastësi që në vokabularin e kësaj kulture një vend meritor e zinte fjala “arete” ( ἀρετή), e cila e kishte kuptimin e shkëlqimit, përsosmërisë dhe epërsisë (excellence). Po ashtu ky nocion helenik e mbarte edhe “konotacionin e virtytit dhe përmbushjes së plotë njerëzore”, fakt ky, që tregon më mirë se asgjë tjetër për rëndësinë që i kushtonte kjo kulturë në etosin e saj kultivimit të shtysave dhe impulsive psiko-politike, për t’u dalluar dhe veçuar në sytë e të tjerëve dhe për ta fituar lavdinë e brezave të mëvonshëm. Mbi këtë sfond është ngjizur ajo trashëgimi e organizimit të memories kolektive nacionale në zhvillimin e mëvonshëm të historisë njerëzore.E kam thënë edhe herëve tjera se botimi nën përkujdesjen e qeverisë shqiptare kohë më parë i veprave të Arbër Xhaferit parqet një kontribut madhor në pasurimin e panteonit të kujtesës sonë kombëtare. Sepse brezat e ardhshëm do të kenë mundësi të ushqehen shpirtërisht nga gurra mendore e Arbër. Ta kompensojnë në aspektin kulturor mungesën e tij fizike. Dhe ta bëjnë të mundur që hijerorja sublime e Arbër të jetë përherë mes nesh. Sepse, siç thoshte vetë Arbëri në një shkrim mbi Ukshin Hotin “një popull mund të konsiderohet se është i formuar, se është i qytetëruar, vetëm atëherë kur është i zoti t’i ruajë vlerat e veta, t’i mbrojë mendimtarët e vet”.

Kurse ato libra janë dhurata më çmuar që më janë bërë nga miku im Agron Hoti.Me stilin e shkrimit, forcën e argumentimit dhe thellësinë e mendimit, Arbëri Xhaferi lirisht mund të themi se ka zënë një vend unik në piedestalin e figurave kombëtar, së bashku me disa personalitet tjera të veçanta të jetës publike dhe kulturore shqiptare, sikur janë Faik Konica, Fan Noli, Branko Merxhani etj.Mirëpo Arbëri, bie fjala, në dallim nga Faik Konica, ky “tigër i trishtuar” siç e quan Ismail Kadare, nuk ishte përbuzës cinik që sot të “shfaqte dhembshurinë e nesër të tallej me vendin e vet. Apo të “dëshpërohej e të binte në zi për vendin e tij, ta quante Zululand, e ta përçmonte e të shqyhej gazit me të”. Madje Konica me “përqeshjen e tij therëse sikur thoshte në ato faqe plagosësh: shikojeni këta donkishotë kanë krijuar shtetin e tyre e s’dinë ç’të bëjnë me të!”. Ndërkaq ndryshe nga Fan Noli, ky “demon i përmbysur”, Arbëni s’përndizej nga shpresat mesianike duke e ndier vetën “herë misionar të Krishtit, herë vetë Krishti, herë të kryqëzuar e herë triumfator”. Ai s’nxori asnjëherë vrer dhe nuk u acarua kurrë me popullin e tij. S’joshej nga asnjë dogmë rigjide ideologjike, përkundrazi distancën “higjienike” me to e konsideronte mision jetësor. Po ashtu mediokritetin, motivet banale, lakminë personale, etjen për kapardisje egocentrike si dhe manitë narcistike të liderëve i konsideronte me pasoja fatale për çdo politikë.Në këtë kontekst, Arbëri nuk u pushtua kurrë nga fantazmagoritë iluzore, se po të ishte ky në vend të këtij apo atij lideri çdo dështim i shqiptarëve do kthehej në mënyrë magjike në triumf. Ai e ndjente se fati i një populli, mirëqenia e tij dhe po ashtu realizimi i së drejtës që i takon në teatrin e përgjakshëm të historisë, nuk kanë qenë çështje e mëshirës apo përdëllimit ndërkombëtar, por në masë të madhe janë varur nga kapacitetet e përbashkëta politike, ushtarake, ekonomike dhe diplomatike të një populli, pikërisht atëherë kur ka ndodhur “beteja finale”.

Arbëri jetoi dhe veproi në një kohë dramatike të zhvillimeve politike. Ishte kjo periudha kur ish-Federata Jugosllave po detronizohej dhe shkërmoqej nën ndikimin e erës së ndryshimeve demokratike. Dhe popujt e saj po e kërkonin hisen e tyre në gërmadhat e asaj mini-perandorie. Ndërkaq serbët si populli hegjemon i këtij shteti mëtonin ta ruanin një pozicion të privilegjuar dhe dominues mbi popujt tjerë në kuadër të kësaj koniunkture të dënuar me shthurje nga historia. E në këtë kohë më shumë se kurrë më parë, “Komandant timosi” si shprehje e “dëshirës antropogjentike hegeliane për barazi” po kërkonte satisfaksion të plotë edhe te shqiptarët. Sepse për këtë lexues të pasionuar të ligjërimeve filozofike të historisë, odiseada e rrugëtimit politik të popujve për shkak të “vetëdijesimit për lirinë” s’mund të qetësohej pa realizimin e kësaj të drejte, e as të “manipulohej” me formula të politikës ditore burokratike që ofronin zgjidhje paliativeNë pajtim me postulatin hegelian për “esencën” e kombeve, Arbëni e dinte se “kombet janë ashtu çfarë janë veprat e tyre”. Bie fjala edhe sot logot e mallrave “Made in USA” apo “Made in Germany”, në mënyrë simbolike e manifestojnë karakterin e kësaj “fryme aktive prodhuese”, ku me anë të saj popujt e veçantë e shfaqin vetën objektivisht. Madje ato shndërrohen në simbole te krenarisë dhe identifikimit nacional. Në këtë drejtim, aktualizimin e potencialeve të tilla kolektive, Arbëri e konsideronte një detyre primare historike kombëtare.Ai ishte një nga politikanët e rrallë që na mësoi ta shohim ndryshe vlerën, forcën dhe potencialin e nacionalizmit. Sepse, ai nuk iu nënshtrua klisheve të e zakonshme që u sajuan nga administrata ndërkombëtare pas përfundimit të luftës që propagandonin se kjo forcë është diçka që i takon së kaluarës, është anakronike dhe nuk ka asnjë vlerë për rrethanat e reja “post-historike”, e për ta imponuar një tabula rasa të re.

Për dallim nga politikanët tjerë, Arbëri nuk ra kurrë pre e këtyre interpretimeve infantile, sepse botëkuptimin për këtë fenomen e kishte të përvetësuar nga literatura perëndimore që e shpjegonte rolin planetar të kësaj force “meta-demokratike”. Ngase sipas tij, nëse analizohet përvoja evropiane, apo ajo e qytetërimit perëndimor, faktori që shkatërron apo ndërton shtete (formacione shoqërore) është nacionalizmi. Pra “siç dihet vetëdija kombëtare ishte faktori kryesor që nxiti procesin e shpërbërjes se perandorive universale të Austro-Hungarisë, të asaj Osmane, cariste Ruse, apo të mini-perandorive të formatit jugosllav, çeko-sllovak etj”.Prandaj, ai angazhohej që shqiptarët ta kultivonin sa më shumë që të jetë e mundur, atë lloj të nacionalizmit evropian që i “nxit njerëzit që virtytet sublime të qenies së tyre t’i investojnë në një sistem vlerash që i bashkon individët, krijon barazi në mes tyre, që i jep kuptim jetës së tyre dhe është i domosdoshëm për zhvillimin e përbashkët shoqëror”. Sepse, shtetet bashkëkohore që të mund të funksionojnë si duhet e kanë detyrim që së paku t’i plotësojnë tri kushte bazike; “1 kohezionin e brendshëm, luajalitetin e qytetarëve ndaj shtetit, 2 mirëqenien ekonomike për qytetarët dhe 3 demokracinë liberale”.Për Arbërin, “nëse një nacionalizëm dështon, atëherë fillon procesi i akulturimit, i përtharjes, i asimilimit, dhe njëherësh i bartjes së besnikërisë, së interesimit të qytetarit në koncepte tjera komunitariste, duke filluar nga ato ideologjike, fetare e deri te ato sportive. Bie fjala, dështimi i nacionalizmit arab, i personifikuar në figurën e presidentit nacionalist G.A.

Naserit, apo Sadam Huseinit nxori në shesh lëvizjet fetare që i propagandojnë idetë komunitariste mbi baza fetare, ummetin islam”.Ankthi i Arbër XhaferitZhvendosja e tensioneve të tilla në këto linja antagoniste sociale, ishte ankthi më i madh për Arbër Xhaferin, për shkak të implikimeve që mund të kishte edhe për shqiptarët në këto rrethana historike dhe rrezikut që mund të lind nga përdorimi i religjionit për qëllime politike. Këtë konvertim të religjionit në politik e kishte detektuar në mënyrë gjeniale Erich Fromm. Ai konstaton se nëse dikush e respekton pushtetin dhe forcën deri sa e predikon religjionin e dashurisë, religjioni i pushtetit është religjioni i tij sekret, kurse i ashtuquajturi religjion zyrtar, bie fjala Krishterizmi, Islamizimi, apo Ortodoksizmi, është vetëm një ideologji. Pra nëse dikush “ intimisht e adhuron një grup njerëzish dhe i urren të tjerët, ndërsa publikisht flet për Zotin ai religjionin e shndërron në ideologji politike. Serbët në fund të kësaj dalldisje blasfemike pohonin me bindje se Zoti flet serbisht, pra ekskluzivisht është i tyre”. Kurse, dukuri të tilla miope, Arbëri i kishte hetuar edhe te disa hoxhallarë shqiptarë. Ata, sipas tij, duke dashur ta “hynjëzojnë gjuhën arabe predikojnë përdorimin e përshëndetjes “selamualejkum” në vend të “tungjatjetës” shqiptare, me argumentin se qenka më kuptimplote dhe më e afërt me Zotin.Sfera e preokupimeve mendore të Arben Xhaferit ishte e gjerë. Dhe do të ishte e pamundur ta paraqesim të tërën në këtë shkrim të shkurtër. E veçanta e Arbërit ishte qetësia olimpike në shtjellimin e tyre. Pa mbindjesi emocionale dhe trazim shpirtëror. Kështu ajo që shihej si dobësi e tij e jashtme, në të vërtetë ishte forca e tij brendshme. Kam pasur fatin dhe rastin ta takoj disa herë.

Dhe në këto takime, Arbëri e formonte një botë të pamundësive. Ai të rrëmbente me magjinë e mendimit të tij. Duke i dëgjuar përsiatjet dhe kredhjet e tij teorike të dukej vetja se dilje “jashtë kohës” dhe jashtë “sistemit të zakonshëm të mendimit”. Po ashtu të krijohej përshtypja e desensualizmit nga hapësira. Prandaj, duket më shumë se askujt tjetër, atij i përshtatet formula lakonike “jetoi për të menduar”.P.S. E kam pohuar edhe në një rast tjetër, se për mu dhe një grup shokësh, (emrat e të cilave nuk dua t’i përmend për arsye politike) sa herë që Arbëri kishte shkrime në atë kohë në Kohë Ditore, ajo ditë ishte e veçantë për ne. I kemi pritur me padurim esetë e tij politike. Jemi mbledhur atë ditë. Kemi diskutuar për përmbajtjen e tyre. Kemi “rivalizuar” se kush më shumë po i përvetëson shpjegimet e tij për proceset politike dhe sociale që po kalonim. Së bashku ia dolëm që t’ia organizojmë një ligjëratë para studentëve në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare. Ajo mbetet një ngjarje e paharruar. Humbja e Arbërit ishte humbje për të gjithë ne.

Kurse sa i përket partive politike që aktualisht sot operojnë në Kosovë, individë që e njohin më mirë mendimin e tij gjenden ende në Vetëvendosje. Sa e zbatojnë atë ajo është tjetër gjë. Paradoks ky, sidomos kur merret parasysh afërsia që dikur Arbëri e kishte me Hashim Thaci. Ishte thuajse një lloj mentori politik i tij në atë fazë delikate historike të shtet-ndërtimit. E në PDK nga ata që defilojnë sot në kryesi, mbase janë një apo dy persona që e dinë kush ishte mirëfilli Arbër Xhaferi.