Arjeta Veliu do t’i kthehet ditarit dhe nxënësve

66

Arjeta Veliu, profesoresha e larguar nga vendi i saj i punës do t’i kthehet ditarit dhe nxënësve. Ky është epilogu i rastit të paprecedentë për të cilin ALSAT ka informuar disa ditë me radhë. Drejtoresha e shkollës ekonomike të Tetovës, Ramie Kurtishi, ka dërguar shkresë zyrtare në Entin e Punësimit për kthimin e profesoreshës në punë.

Kjo shkresë u bë vetëm një ditë pas takimit të drejtores me Ministrin e Arsimit, Arbër Ademi, i cili kishte urdhëruar zbatim të menjëhershëm të vendimit gjyqësor në favor të profesoreshës Veliu.

Në bisedë telefonike, nga Enti për Punësim në Tetovë për Alsat, thanë se pas kompletimit të dokumentacionit të nevojshëm, do të vendosin në pajtim me vendimin e Gjykatës Supreme dhe rekomandimet e Ministrisë së Arsimit.

 

Sektori i Arsimit në Komunën e Tetovës, thotë se Enti për Punësim dhe Shkolla Ekonomike “8 shtatori” duhet menjëherë të zbatojnë vendimin e Gjykatës Supreme dhe të Ministrisë së Arsimit.
Do të aplikohen të gjitha vendimet e instancave që janë pjesë e kësaj problematike po ashtu do të aplikohet edhe rekomandimi i Ministrisë për Arsim dhe Shkencë dhe të gjitha institucionet të cilat thirren në këtë shkresë të Ministrisë së Arsimit duhet që të aplikojnë atë që është shkruar atje dhe t’i zbatojnë vendimet të cilët janë dhënë nga Ministra.

Këtu flas për të gjitha institucionet, shkolla, Agjencia për punësim dhe palët tjera të përfshira në këtë çështje – tha Ahmet Qazimi, sektori i arsimit në Tetovë.

Aktvendimi i plotfuqishëm i Gjykatës Themelore të Tetovës për rastin e Arjetës nuk u zbatua plot 5 vite. I pazbatueshëm ishte edhe vendimi i parë i Gjykatës Supreme. Drejtorja Ramie Kurtishi kishte kërkuar rigjykim, por një gjë e tillë u hodh poshtë.

Madje për moszbatim të vendimit gjyqësor, drejtorja ndiqet penalisht nga Prokuroria Themelore e Tetovës. Procedura mori kthesë pas publikimit të rastit në Alsat pas çka pasoi reagimi i menjëhershëm i institucioneve të shtetit.

Besian Leka