Arsimi është më shumë se vetëm një diplomë

Advertisment

Nga Arbër Çeliku/

Qasja institucionale ndaj arsimit në hapësirën tonë të jetesës, dita-ditës, po shndërrohet në një cirk bajat, i cili nuk tërheq më asnjë spektator. Në të vërtetë, ne moti kohë kemi hyrë në një fazë sa qesharake aq edhe të dhimbshme të arsimimit, duke gjeneruar kësisoj një krizë edukative-arsimore, e cila në një perspektivë afatgjate do të ketë pasoja të pariparueshme për ne si popull.

Reklame

Çuditërisht, ndaj këtij fenomeni dhe ne, me dekada i kemi mbyllur sytë. Asnjë interes as individual dhe as kolektiv ndaj kësaj çështje kaq të ndjeshme dhe jetike për ne. Asnjë strategji shtetërore ndaj arsimit, asgjë as edhe nga politikat e shëndosha qeveritare, por as edhe nga institucionet simotra, përgjegjëse për këtë çështje kaq të rëndësishme: Akademia e Shkencave, universitetet, mediumet, organizatat joqeveritare, asociacionet e ndryshme studentore dhe shkollore, këshillat prindërorë, familjet dhe vetë aktorët pjesëmarrës.

Edhe ankesat, frustrimet, kritikat, qaravitja në kohë pandemie, nuk e prekin thelbin, por vetëm formën. Formën, e cila përjetësisht po e mbyt arsimimin tonë. Për ne rëndësi ka numri jo dija, letra jo aftësia, dukja jo thelbi. Arsimi jonë ka prodhuar, në masë të madhe, individë me diploma, por jo edhe profesionistë, edhe atë për dekada me radhë. Këtë e dëshmon më së miri gjendja jonë e përgjithshme shoqërore: asnjë institucion nuk është funksional dhe besimi qytetar ndaj tyre është zero. Madje, as udhëheqësit e institucioneve, qofshin shtetërore, arsimore, kulturore, shëndetësore, sportive nuk i besojnë vetes së vet. Në sytë e tyre sheh marazin, dëshpërimin, mosinteresimin dhe trishtimin.

Politika jonë, në vend që të ideonte strategji dhe të krijonte standarde cilësie dhe infrastrukturore, edhe më shumë i fryn kaosit. Sikur i përshtatet mosdija, joprofesionalizmi dhe injoranca. Sikur këtë kaos qëllimisht po e kthen në favorin e vet. Njësoj si dikur sistemi komunist, kur shqiptari i paarsimuar ishte ai i përshtatshmi për ta sunduar dhe shtypur.

Sot bota po hyn në një dimension tjetër të arsimimit: knowledge based, e quajnë amerikanët, pra arsim që prodhon, jo arsim vetëm që përvetëson nocione, definicione dhe njësi mësimore, pra arsim i cili është frytdhënës, jo arsim pasiv, i mbyllur në vetvete dhe për vetvete. Ne, në vend që të ecim në hap me kohën, po shkojmë përmbas, drejt humnerës arsimore.

Pandemia, vetëm se do të na japë një shtysë, teksa tashmë jemi duke u rrokullisur teposhtë…