Asfaltohet rruga Tetovë-Brodec (VIDEO)

Advertisment

Banorët e fshatrave të Malësisë së Tetovës tashmë do të kenë një rrugë tjetër alternative për të arritur në qytet. Në këtë periudhë janë duke u zhvilluar punimet intensive për asfaltimin e rrugës së re Tetovë – Brodec. Sipas autoriteteve të Komunës së Tetovës, një rrugë e këtillë hap edhe perspektivë për banorët e kësaj zone, por njëkohësisht do të lehtësojë edhe komunikacionin nëpër rrugën Shipkovicë-Brodec, e cila në shumë vende është tepër e ngushtë, kurse më vështirë ka qenë gjatë kohës së vërshimeve kur edhe bllokohej. Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, shprehet se tashmë ndërtimi i rrugës është në fazën përfundimtare.

“Këtyre ditëve me intensitet të shtuar vazhdojnë punimet rreth asfaltimit të rrugës Tetovë-Brodec, respektivisht tashmë jemi në fazën e tretë. Rruga ka një gjatësi afër 1000 metra, duke filluar nga Banja e Tetovës, me gjerësi deri në 6.5 metra, me mure mbajtëse në gjatësi prej 40 metra, e projektuar që të ketë edhe shëtitore anësore për qarkullim të këmbësorëve. Bëhet fjalë për projekt të Komunës së Tetovës me të cilin është aplikuar dhe fituar granti nga ana e Agjencisë për mbështetje financiare të bujqësisë dhe zhvillimit rural të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në vlerë mbi 19 milion denarë”, thotë kryetarja Arifi.

Reklame

Po ashtu, bëhet e ditur se krahas asfaltimit, kjo rrugë do të ketë edhe ndriçim publik. Rruga pritet që së shpejti të lëshohet në përdorim. “Përveç asfaltimit do të vendoset edhe ndriçim publik me çka do të rrumbullakohet investimi i deritanishëm në rrugën e Banjës së Tetovës, si rrugë e cila lidh qytetin me fshatrat e Malësisë, por edhe si një nga pikat më atraktive turistiko-rekreative të Tetovës”, sqaron më tej ajo.

Në ndërkohë, Komuna e Tetovës më në fund ka vendos që të investojë në Banjën e Tetovës, një vend atraktiv por i lënë pas dore, dhe pa asnjë investim. I vetmi investim i deritanishëm ka qenë vetëm rruga kryesore nga Tetova, kurse tjetër investim për të rivitalizuar këtë vend nuk është bërë asnjëherë deri më tani. “Këtyre ditëve kanë filluar edhe punët ndërtimore rreth projektit “Vendi i piknikut” në Banjën e Tetovës, që parasheh rregullim të shtratit të lumit, baseneve të burimeve termominerale si dhe vendosjen e pajisjeve urbane. Ky projekt është në vlerë mbi 14 milion denarë dhe i njëjti financohet nga mjetet e grantit për të cilin Komuna e Tetovës ka aplikuar në Agjencinë për mbështetje financiare të bujqësisë dhe zhvillimit rural të Republikës së Maqedonsë së Veriut” thotë kryetarja e Komunës së Tetovës, Arifi.

Banjat e Tetovës si një nga vendet më të vizituara gjatë vikendeve, por edhe gjatë ditëve të tjera për rekreacion, frekuentohet nga shumë qytetarë jo vetëm të Tetovës por edhe nga zona të tjera, kurse kujdesi i shtetit deri më tash ka qenë zero. Krahas kësaj, një pjesë tjetër e qytetarëve ujin e këtij vendi e shfrytëzojnë edhe për pije ndërsa analizat sipas institucioneve përgjegjëse tregojnë se uji në Banjat e Tetovës është i pijshëm. Ky vend ndodhet vetëm 5 kilometra nga Tetova, ndërsa pa u rregulluar ka mbetur infrastruktura në pjesën në Çarshinë e Epërme ku ende nuk është rikonstruar një pjesë e rrugës e cila lidhet me rrugën kryesore për në Banjat e Tetovës. (koha.mk)

VIDEO: https://www.facebook.com/tetova1info/videos/2641835739439201/