ASH-ja e paqartë për koalicionet, burime nga Alternativa: Në parim kemi koalicion me ASH-në

Advertisment

Në mesditë, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari i tha TV21 se koalicioni trepalësh mes ASH-së, Lëvizjes Besa dhe Alternativës përfundimisht nuk do të bëhet realitet.

“Përfundimisht koalicioni trepalësh nuk mund të arrihet. Sot ose nesër do të takojmë të dyja palët, e më pas do të mblidhet Kryesia Qendrore e ASH-së për të vendosur se me cilën parti do të bëjë koalicion parazgjedhor”, Arben Taravari, sekretar gjeneral i Aleancës për Shqiptarët.

Reklame

Pak orë pas kësaj deklarate të Taravarit, Aleanca për Shqiptarët doli me qëndrim më ndryshe. Përmes e-mailit shkruajnë se përpjekjet për jetësimin e koalicionit trepalësh do të vazhdojnë deri në momentin e fundit.

“Duke u nisur nga parimi se bashkimi bën fuqi Aleanca për Shqiptarët deri në moment të fundit po bën përpjekje që të jetësojë koalicionin premtues për fitore. Padyshim se do të ketë koalicion i cili do të sjellë ndryshimin e dëshiruar. Për këtë arsye, Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojë në mënyrë edhe më intensive takimet me të vetmin qëllim fuqizimin e votës shqiptare”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

Nga ana tjetër, burime brenda Alternativës i thanë TV21 se gjatë ditës ka pasur takim mes përfaqësuesve të ASH-së dhe Alternativës, ku në parim koalicioni është arritur por mbetet që të njëjtin ta konfirmojnë kryesitë e dy partive. Zyrtarisht nga partia e Afrim Gashit nuk konfirmojnë asgjë, ndërsa thonë se kryesia e tyre sonte do të vendosë për hapat e mëtejshëm.

“Sot kryesia e Alternativës do të mbajë mbledhje në të cilën do të vendoset për hapat e mëtutjeshëm lidhur me zgjedhjet e parakohshme parlamentare, konkretisht mënyrën e shkuarjes në zgjedhje si dhe opsionet e koalicionimeve të mundshme parazgjedhore”, thonë nga Alternativa.

Nga Lëvizja Besa, kryesia e së cilës hapur ka pranuar koalicionin trepalësh, tani kërkojnë që ASH si nismëtare e këtij procesi të tregojë se çfarë ndodhi me bashkëpunimin trepalësh dhe a do të respektohet parimi që pala që s’do të marrë pjesë në koalicion do të vetë përjashtohet.

“Njëherë Aleanca për Shqiptarët duhet që në opinion të tregojë arsyet se pse nuk ndodh bashkëpunimi trepalësh. Nëse ka fajtorë në këtë proces që nuk e ka pranuar bashkëpunimin atëherë duhet të sqarojnë në opinion, a vlen parimi që e kemi vendosur gjatë fillimit të bisedave se pala e cila nuk do të marrë pjesë në këtë koalicion, do të vetë përjashtohet ose jo”, deklaroi Arjanit Hoxha. sekretar gjeneral i Lëvizjes Besa.

Arsyeja pse koalicioni trepalësh nuk po arrihet është se Alternativa nuk pranon që pjesë e koalicionit tresh të jetë Lëvizja Besa. Iniciatore e koalicionit trepalësh është Aleanca për Shqiptarët, por tani që kjo ide duket e pamundur, kësaj partie i mbetet të zgjedhë se me cilën, Besën apo Alternativën do të shkojë drejt zgjedhjeve të 12 prillit.