ASH qetëson opozitën: Përpjekjet vazhdojnë, ndryshimin do ta sjellim të gjithë bashkë

Advertisment

Aleanca për Shqiptarët në pyetjen e Gazetës Express se çfarë do të ndodhë tutje pas tensioneve të krijuara në bisedimet për koalicionin trepalësh, u përgjigj: “Duke u nisur nga parimi se bashkimi bën fuqi Aleanca për Shqiptarët deri në moment të fundit po bën përpjekje që të jetësojë koalicionin premtues për fitore.

Padyshim se do të ketë koalicion i cili do të sjellë ndryshimin e dëshiruar. Për këtë arsye, Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojë në mënyrë edhe më intensive takimet me të vetmin qëllim fuqizimin e votës shqiptare.

Reklame

Ne besojmë shumë se qëllimi kryesor i opozitës shqiptare është ky, prandaj edhe besojmë se kur qëllimet janë të njëjta problemet tejkalohen më lehtë. Si subjekt politik edhe njëherë theksojmë se prioritet janë qytetarët, dhe ndryshimi për të cilin janë të etur ata, ndryshim ky që do ta sjellim të gjithë bashkë”./GazetaExpress/