AstraZeneca kundërshton shqetësimet e myslimanëve rreth vaksinës Covid-19

AstraZeneca gjatë një deklarate të bërë ditën e sotme tha “se vaksina e saj covid-19 nuk përmban përbërës të derrit,” duke kundërshtuar një pohim në Indonezi, kombi më i populluar mysliman në botë, se ilaçi shkel ligjin Islam.

Këshilli më i lartë klerik Musliman i Indonezisë, “Këshilli Ulema”, tha në faqen e tij të internetit më 19 mars se vaksina është “haram” sepse procesi i prodhimit përdor “pjesë nga pankreasi i mishit të derrit”.

Gjithsesi, këshilli miratoi vaksinën AstraZeneca për përdorim duke pasur parasysh urgjencën pandemike.

Por drejtori indonezian i AstraZeneca, Rizman Abudaeri tha në një deklaratë: “Në të gjitha fazat e procesit të prodhimit, kjo vaksinë nuk përdor dhe nuk bie në kontakt me produkte të derrit ose produkte të tjerë të kafshëve.”

Këshilli dhe agjencia e ushqimit dhe barnave të vendit nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për komente.

Autoritetet indoneziane më 19 mars miratuan përdorimin e vaksinës AstraZeneca pasi shqyrtuan raportet se ajo kishte shkaktuar mpiksje gjaku midis disa marrësve në Evropë.

Indonezia po përballet me një nga shpërthimet më të këqija të koronavirusit në Azi, me 1,455,788 raste dhe 39,447 vdekje, raporton Reuters.