Aziz Salihu: I harxhova paratë e analizave për turneun e boksit (VIDEO)

141

Legjenda e boksit, Aziz Salihu, ka rrëfyer për KALLXO.com se nga i erdhi ideja për organizimin e turneut “Adem Jashari” dhe për vështirësitë me të cilat është përballur gjatë këtyre viteve.

“Në Sarajevë më thirrën në një turne, si Adem Jashari që është hero i ynë, edhe i atyre hero. Edhe më ra ndërmend, thash: Kur ta bëjmë republikën tonë, pa e mbajt turnirin e Adem Jasharit, nuk kam me lënë. Zoti na dha edhe fituam pas një muaji”, thotë Aziz Salihu.

Më tej, Aziz Salihu thotë se askush nuk e ndihmonte për ta realizuar idenë e tij.

“Edhe unë ngajsha, bëjsha çmos, askush nuk më ndihmonte, të gjitha me paratë e mia edhe e bona turnirin. Me të vërtetë atëherë kam pasur pare. Tre turnira i kam pasur, i kam pasur me nga 6-7 mijë veta, pa bileta, në asnjë turne une biletë nuk kam marrë, popullit kurrë s’i kam marrë. Kam mbajt turnira shumë të mira që kam mundur me shit bileta edhe 50 edhe 20 euro, por nuk kam dashtur kurrë”, thotë “Zizi”.

Fituesi i medaljes së bronztë në Lojërat Olimpike “Los Angeles 1984” nuk po ndihet mirë kush po e organizon tash turneun.

Ai kujton një moment emocional me Rifat Jasharin, një ditë para turneut që mban emrin e komandantit legjendar Adem Jashari.

“Mua po më vjen keq prej Rifatit. Po them nganjëherë kush po e mban turnirin është marre edhe është me të vërtetë marre. Se ai turnir pa qenë Aziz Salihu aty, se edhe Rifati e din kur patmi shku me autobus i patmi marrë boksierët e huaj e krejt, gati 100 veta. Kur patmi shku në shpi te ai një ditë para turneut, kajke Rifati, kajsha unë, kur e kemi mbajtur turneun e parë, dy ditë përpara i kom çu të gjithë boksierat në shtëpi të tij e kanë edhe filmin që e kane inçizu”, thekson Aziz Salihu.

Tash, organizimin e turneut “Adem Jashari” e ka marrë përsipër Federata e Boksit e Kosovës.

Aziz Salihu, i cili është kryetar i klubit të boksit “Prishtina”, ka folur edhe për vështirësitë e realizimit të turneut “Kolosët e boksit të Kosovës”, i cili është mbajtur më 28 nëntor.

Ai tha se turneun e ka organizuar me paratë që i kishte për kontrolle shëndetësore në Turqi.

“Më ra një ide e mirë për boksierët se kërrkah nuk janë, i kanë harru. E unë u mundova me e bo një turne me heronjtë, me trimat që kanë bërë çmos në atë kohë, me fotografi në pllakata, u mundova bajagi. Se normal ka pasur shumë boksierë Prishtina, e bona këtë pllakat i bona krejt”, tha Salihu.

Ai tregon se tentoi një herë, dy herë por nuk e ndihmoi askush.

“Dy muaj e gjysmë duke ngarë, duke harxhuar. Çudi që këtij klubi askush me i ndihmu, ndoshta veç pse idetë e mia janë të miat e xheloza po behën menjëherë. Kur erdh koha me e mbajt turnirin për të tretën herë, vajza e ime Monika, është edhe ajo nënkryetare e klubit, më tha: Babi ma se për të tretën herë nuk bon me gabu, duhet me e mbajtë turnirin. Për të tretën herë paret e analizës që i kam marrë prej Qeverisë. Ajo më tha: Merri babi paret, ma mirë është populli me të dashtë. Shuma ka qenë 4.800 euro dhe ia kam dhanë boksierëve krejt”, shton Aziz Salihu.

“Zizi” thotë se ka pritur që Qeveria do t’ia japë paratë, por kjo nuk ka ndodhur.