Baba Qazimi nga Gjerma e Tetovës mjeku popullor, shkruanin gazetat para 100 viteve

Advertisment

Baba Qazimi nga Gjerma e Malësisë së Tetovës ishte mjekues popullor, por edhe patriot i madh, me ide dhe veprimtari atdhetare, tek i cili kanë qenë për shërim shumë kryengritës shqiptarë, që nga Luftërat Ballkanike e më vonë. -Vinin tek ai pacientë nga Dibra e Kaçaniku, Shkupi e Prizreni dhe gjetiu, për të gjetur derman për sëmundje të rënda, por mbi të gjitha ka qenë mjeshtër ortopedik. -Disa ushtarë bullgarë e kishin arrestuar dhe e kishin dërguar në Oborrin Mbretëror në Sofje, për ta shëruar një grua oficeri. Ç’shkruante gazeta “Politika” e Beogradit, në vitin 1937, për këtë “doktor” popullor?

Nga Ismail ARSLLANI

Reklame

Tetova dhe malësia e saj kanë pasur në të kaluarën personalitete të shquara atdhetare, ushtarake, politike e kulturore, si Abdurrahman Pasha, Dervish Cara, Hasan dhe Mehmet Pashë Deralla, Sheh Mustafa Tetova, Rexhep Voka e disa të tjerë. Një personalitet i tillë mjaft i shquar i kohës, një autodidakt, “ortoped” popullor mjekësor, i cili këtë mjeshtri e ka ushtruar gjatë gjithë jetës, deri në moshën 84 vjeç (1941), duke shëruar me qindra pacientë nga sëmundje të ndryshme, shpesh të pashërueshme, ka qenë Qazim Sinani nga fshati Gjermë i malësisë së Tetovës, të cilin e kanë njohur me nofkën “Baba Qazimi”, titull të cilin e ka marrë në shenjë mirënjohjeje nga vetë populli, për meritat e mëdha që ka pasur. Por, sikundër që kanë qenë “enigmë” mjeshtëritë e tij mjekuese, ashtu ka mbetur anonim për ditët e sotme, ndonëse ky personalitet i shquar është dashur të hyjë në analet tona kombëtare e ato mjekësore.

“E thirrshin Baba Qazim, jo pse i takonte sektit bektashian, por se populli shqiptar e nderonte si Baba, si mjek, i cili gjithmonë ishte me popullin dhe ishte i njohur edhe në disa vende ballkanike. Pos që ishte mjekues popullor, ai ishte edhe patriot i madh, me ide dhe vepra kombëtare. Tek ai kanë qenë për shërim mjekësor shumë kryengritës shqiptarë të kohës, që nga luftërat ballkanike e më vonë”, thotë Ismailhaki Ebipi nga Tetova, një njohës i mirë i pasardhësve të “doktorit” të popullit.

“Vinin pacientë nga Dibra e Kaçaniku, Shkupi e Prizreni dhe gjetiu, për të gjetur derman nga ky “specialist” i sëmundjeve të rënda, të cilët i shëronte me bimë të ndryshme mjekuese. Mbi të gjitha ka qenë specialist në fushën e “ortopedisë”, ndërsa për këtë ia kishin lakmi edhe doktorët e atëhershëm të Tetovës e më larg, të cilët ishin shkolluar në Evropë. Disa prej tyre, madje, për shkak të “konkurrencës”, ndonjëherë edhe e qortonin”, kishte shpalosur kujtimet, vite më parë, nipi i tij Xhemil Qazimi, sipas fjalëve të Ebipit.

Baba Qazimi, faksimile e gazetes Politika 1937

BABA QAZIMI SHËRONTE PA OPERACION

Nipi Xhemili kishte rrëfyer një anekdotë lidhur me aftësitë mjeshtërore të gjyshit të tij. “Kundërshtarëve të tij që ishin mjekë, Baba Qazimi u është përgjigjur në mënyrë lakonike. U ka kërkuar një thes, një litar dhe një vorbë. Pasi ia sjellin, vendos vorbën në thes dhe e lidhë thesin në grykë me litar, kurse me këmbë e godet fortë, derisa thyhet vorba. Pastaj u drejtohet mjekëve të pranishëm, duke kërkuar prej tyre që pa e hapur thesin, t’i ngjitin copat e vorbës. Mjekët e shohin të pamundur një gjë të tillë, prandaj heqin dorë. Atëherë del në “skenë” Baba Qazimi dhe për një kohë të shkurtër rregullon tërë “mozaikun” e copave të thyera, pa e hapur fare thesin”.

Ai kishte shëruar shumë njerëz me eshtra të thyer, pa bërë fare operacion”, krenohej nipi i tij, Xhemili, i cili kishte treguar edhe një rrëfim, me një ndodhi tjetër interesante: “Në kohën e Luftërave Ballkanike, një oficer i lartë i Oborrit Mbretëror bullgar në Sofje, dërgon një grup ushtarësh të armatosur që ta marrin gjyshin tim për në Sofje. Gjyshi ishte frikësuar nga pak, për shkak të këtij “arrestimi” të papritur, por gjatë rrugës ushtarët i tregojnë se e kanë marrë për ta mjekuar gruan e një oficeri, e cila paska rënë nga kali dhe ka thyer këmbën. Dy mjekë bullgarë paskan tentuar, por nuk kanë mund t’ia rregullojnë këmbën e thyer të saj. “Doktori” nga Gjerma, me një ndërhyrje mjeshtërore, për një çast, në saje të aftësive të tij të jashtëzakonshme, arrin t’ia vejë në vend këmbën e thyer të gruas së oficerit të lartë mbretëror, ndërsa ajo për habinë e të gjithëve aty për aty ngrihet në këmbë dhe fillon të ecë. Për këtë mjeshtri të tij, atij i ofrohen shumë dhurata, por ai kishte refuzuar që t’i marrë ato, pos një dhurate simbolike, duke vepruar po me atë modesti sikur të ishte në mesin e vendasve të vet, nga të cilët nuk kërkonte shpërblim për mjekimet që i bënte”.

Bashkëkohësit e tij, sipas rrëfimit të Ebipit, kishte ndërhyrë në bisedë edhe nipi tjetër, Sulejman Qazimi, i cili kishte dëgjuar për gjyshin e tij se kishte qenë një burrë i vërtetë, shtatlartë dhe shpirtmirë sa s’bëhet. Atij i vinin “pacientët”, pasi “t’i kalonin” të gjithë mjekët e atëhershëm dhe nuk gjenin shpëtim për mundimet që kishin. Atij i kujtohen fjalët e plakut Rexhep Azizi nga Gjerma, i cili kishte thënë se Baba Qazimi ka qenë bashkëkohës i Ali Tahirit, një bashkëluftëtar trim i Bajram Currit. Ai ka qenë një ndër luftëtarët më të mirë që ka pasur malësia e Tetovës.

Tetova e vitit 1922

NJË ENIGMË E ZBULUAR NË GAZETËN BEOGRADASE

Në fshatin Leshkë, që shtrihet rrëzë Sharrit, vetëm disa kilometra në veriperëndim të Tetovës, i banuar kryesisht nga popullata maqedonase, shumë vite më parë, një grup muratorësh shqiptarë që ndërtonin një shtëpi në këtë vendbanim, pa pritur zbulojnë një enigmë të mbërthyer në kohë të shkuara.

Në një pyetjeje të zakonshme të nikoqirit: “Prej nga jeni djema?”, njëri nga muratorët, Sinan Qazimi, pa u hamendur, përgjigjet: “Nga fshati Gjermë!”, duke mos pandehur në atë moment se çfarë domethënie kishte kjo përgjigje në “asociacionet” mentale të bashkëbiseduesit. “Ju, të Gjermës, jeni mjaft të njohur!”, ia kthen maqedonasi nga Leshka. Që ta dëshmojë këtë, ai shton: “Kam ruajtur një ekzemplar të vjetër të gazetës “Politika” të Beogradit, që nga 4 gushti i vitit 1937, në të cilën shkruan për njëfarë “mjeku popullor” nga Gjerma, i quajtur Qazim Sinani, i cili në atë kohë paska bërë çudira në mjekimin e popullatës…Çfarë koincidence e pabesueshme, bluan në kokë Sinani, nipi i “mjekut” Qazim.

Pas disa çastesh hamendjeje, Sinani hedh lopatën anësh dhe shkrep fjalët si nga pushka: “Qazimin e kam gjysh!” Këtë enigmë për “mjekun popullor” nga Gjerma, i cili ka jetuar në gjysmën e dytë të shekullit 19-të dhe në katër dekadat e shekullit 20-të, do ta bëjë edhe më të qartë kroniku i kohës, i cili publikon një shkrim për këtë “gjeni” të popullit, që ishte dëgjuar edhe më larg në Ballkan dhe Evropë, për aftësitë e tij mjekuese, me barna bimësh dhe rregullim të eshtrave të thyera, pa operacion. Një ekzemplar i ruajtur mirë i gazetës “Politika” të Beogradit, që është botuar tetë dekada më parë, dëshmon në mënyrë autentike për këtë “doktor popullor” çudibërës nga Gjerma.
“Në tërë trevën e Tetovës, që përfshinë dy rrethet më të mëdha, me mbi 150 mijë banorë, në mesin e mjekëve është shumë i njohur edhe “mjeku” gjermas, Qazim Sinani, 80 vjeç.

“Doktori” nga Gjerma nuk është pseudo-mjek, as fallxhor, por është vërtet një mjek, gjysmëzyrtar, ndonëse nuk ka kurrfarë diplome, madje është edhe analfabet. Nënshkrimin e tij (imzanë), ka vënë me vulë (myhyr) të metaltë, që i ka mbetur prej motesh dhe të cilën gjithmonë e ka mbajtur me vete, si një hajmali të mbështjellë në maramë”, përshkruan tiparet e këtij mjeku, autori i artikullit në gazetën beogradase.
Sipas kësaj gazete, Baba Qazimi do të ishte njeriu më i pasur në botë. Ai ka thënë: “Nuk jam mjek, atë ua them të gjithëve.

Unë punoj atë që mjekët e tjerë nuk e bëjnë. Qytetarët më të pasur hedhin nga ndonjë dinarë ose dhurojnë ndonjë palë çorape, kurse të tjerët asgjë. Unë as që kërkoj, ngase Zoti nuk ma ka dhënë këtë fuqi dhe bekim që të pasurohem, por t’u ndihmojë hallexhinjve që janë në mundime të mëdha. Pikërisht kjo ma mban fuqinë. Kur do të kërkoja që puna të më paguhej, atëherë me siguri që kisha për ta humbur fuqinë e mjekimit”, ka deklaruar asokohe për gazetën beogradase, ky “doktor” popullor. “Atij i drejtohen të gjithë që vuajnë nga ndonjë sëmundje dhe ai që të gjithë i mjekon me sukses. Me një aftësi të rrallë ortopedike ua rregullon eshtrat e thyera, madje pikërisht në këtë punë është “specialist”, shkruan kronisti nga Tetova.

Baba Qazimi, sipas këtij shkrimi, kishte dëshmuar pafajësinë edhe para gjyqit, kur “kolegët” e tij e kishin akuzuar për pseudo-mjekim. “Puna ime është e rëndomtë dhe e dobishme për popullin. Ky popull ishte pas meje dhe nuk lejoi që të dënohem”, ka shpjeguar për gazetën “doktori” nga Gjerma. Në përshkrimin e mëtejmë të personalitetit të tij, kjo gazetë beogradase jep edhe detaje të tjera: “Me një rast, vjen në katund një korrier i komunës dhe më thotë se më thërret “naçellniku”. Tërë katundi u mblodh dhe nuk më lejonin që të shkoja, sepse frikoheshin se do të më burgosnin. Kur u nisa për në qytet, pas meje erdhi gjysma e katundit. Pushtetari malazias, me syze, sapo hyra në zyrë, u ngrit në këmbë dhe më priti me fjalët: “Hajde në burg!” Nuk u hamenda fare. Kur hyra në burg, ma sollën një njeri me krahun e thyer. Ishte një xhandar, i cili në një aksion ishte rrëzuar dhe e kishte thyer dorën e djathtë. “Nëse e mjekon, do të shpëtosh”, më tha shefi. Për më pak se një orë të gjithë eshtrat ia vura në vend”, kishte deklaruar Baba Qazimi nga fshati Gjermë i malësisë së Tetovës, për gazetën “Politika” të vitit 1937. (koha.mk)