Babai që shkon në Gjermani dhe lotët e vajzës së vogël

Advertisment

Shkruan: Rean Saiti

Stacioni i autobusëve. Nisja për në Berlin…

Reklame

Nervozizmi përhapej në ajër, tollovi, valixhe në tokë. Hyjnë në kolonë. Shkurt përshëndeten dhe ulen në autobus. Të gjithë kanë një shikim diku në largësi.
Dhe, papritmas, një njeri rreth të dyzetave ngrihet nga ulësja dhe vrapon drejt daljes. Një vogëlushe. E mbaj mend nga fustani. Kishte disa yje dhe gjysmëhëna në atë veshje.
Sa çuditshëm qajnë sytë e fëmijëve. Sikur ato nuk janë lotë. Sikur në ato pika të mëdha nuk ndikon gravitacioni. Lotët nuk rrjedhin, ato fluturojnë.

Motra e madhe e mbante për dore. Edhe ajo qante. Por, disi sikur të rriturit.

“Babi mos shko, të lutem. Nuk më duhen lojëra, ja asnjëherë më nuk do të them për akullore, nuk më duhen as veshje, më duhesh ti Baba” jehoi klithma fëmijërore në stacionin e autobusëve. Arriti tek vogëlushja. U ul dhe e përqafoi. Përpiqej të buzëqeshte, por çdo muskuj në fytyrën e tij ulërinte nga dhimbja. “Duhet të shkojë në punë. Gjyshja do të kujdeset për Ju. Kthehem për tre muaj dhe bashkë do të shkojmë për pushime” “Nuk dua pushime, mos shko Babi. Dua ti të kujdesesh për Ne” Gjyshja qëndronte anash dhe shikimi i saj ngjante sikur sapo kishte dëgjuar se po vdes. E ngrirë e nuk bënte zë. Nuk qante. Vetëm se buzët e thata prodhonin diçka që i gjasonte lutjes apo mallkimit.

U afrua dhe e largoi vogëlushen nga duart e babait. Ajo goditte me duar e këmbë, sikur po luftonte për jetën.

Gjyshja me qetësi përqafoi atë trup të njomë duke i pëshpëritur diçka në vesh. Njeriu u kthye në ulësen e tij në autobus. Gjyshja me hapa të përshpejtuar largonte vogëlushen. Motra e madhe ecte pas tyre, duke qarë. Ia drejtova shikimin atij njeriut në autobus. Tashmë nuk i fshehte lotët. Mendoj se nuk kishte njeri në atë autobus që nuk qau…